Konferenca dhe Workshop-e

26 mars, 2015
Studiues nga 11 shtete referojnë në konferencën mbi median e komunikimin
 
Studiues nga 11 shtete dhe 21 universitete të ndryshme, të mbledhur në konferencën ndërkombëtare mbi studimet në media dhe komunikim, diskutuan mbi zhvillimet dhe sfidat me të cilat përballet industria e medias.
 
Akademikë dhe profesionistë të fushës së medias, nga Franca, Irlanda, Turqia, Belgjika, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, etj., referuan punimet e tyre shkencore duke synuar tu japin përgjigje dilemave dhe problematikave që kanë sjellë ndryshimet teknologjikë në industrinë e medias.
 
Temat në konferencë përfshijnë ndarjen e informacionit mbi kërkimin shkencor, zhvillimin, aplikimet e industrisë së medias, mediumet sociale, marketingun, komunikimin politik etj.
 
Raportet e reja të pronësisë së medias kanë sjellë gjithashtu marrëdhënie të reja të pronarëve me produktin e medias, cilësinë e tij, me reklamuesit, politikanët dhe aktorët e tjerë.
 
Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana, shtroi rëndësinë e trajtimit të tematikave të tilla në kushtet e dixhitalizimit dhe trendeve të reja të medias.
 
Punimet e konferencës u përshëndetën nga Prof. Artan Fuga, drejtues i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, i cili u ndal në dinamikat e viteve të fundit, ku media tradicionale po sfidohet nga mjetet e reja të komunikimit. Media e re dixhitale po krijon jo pak dilema dhe pikëpyetje, në lidhje me efektivitetin, besueshmërinë dhe audiencën. Ai u shpreh për rëndësinë që ka organizimi në partneritet me disa institucione i kësaj konference, duke uruar që referuesit, nëpërmjet punimeve të tyre, t’u japin përgjigje dilemave dhe zhvillimeve të fundit në industrinë e medias.
 
Zëvendësambasadori i Francës në Shqipëri, Didier Guilbert shprehu nderimin e pjesëmarrjes në këtë konferencë me rëndësi ndërkombëtare në kushtet e lindjes së platformave të reja të komunikimit. Ai vuri gjithashtu në dukje dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Universitetit “Hëna e Plotë” ( Bedër) me ambasadën franceze në aktivitete të ndryshme në kuadër të frankofonisë.
 
Prof. Dr. Briseida Mema, në cilësinë e kryetares së konferencës, u ndal në aktualitetin dhe rëndësinë që ka diskutimi i temave, në lidhje me industrinë e medias. Ajo theksoi se teknologjia ecën me ritme të shpejta dhe në këtë aspekt u takon studiuesve, gazetarëve dhe njerëzve të medias që të ecin me po atë ritëm për të mos ngelur mbrapa zhvillimeve teknologjike.
 
Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Alfred Peza, tha se aktivitete të kësaj natyre u shërbejnë jo vetëm profesionistëve të medias, por edhe publikut dhe politikëbërësve. Z. Peza u ndal edhe në procesin e kalimit në transmetime dixhitale si një detyrim ndërkombëtar.
 
I ftuar si folësi kryesor ishte Prof. Eric Scherer nga Franca, njëkohësisht edhe drejtor i “Future Media” në Televizionin Francez.
 
Profesor Scherer paraqiti për audiencën 10 sfidat e revolucionit digjital, si edhe të industrisë mediatike që duhet të përshtatet me ndryshimet. Profesor Scherer, autor i esesë “A kemi më nevojë për gazetarët”, tha se rrjetet sociale, si: Facebook, Twitter, Snapchat, etj., po përhapen me hapa gjigantë, ndërsa media tradicionale po përpiqet të integrojë këto forma të reja komunikimi. Ai gjithashtu u shpreh se sipërmarrja në media është vështirësuar dhe dixhitalizimi sjell nevojën e ekspertëve në këtë fushë.
 
Konferenca Ndërkombëtare mbi studimet në media dhe komunikim me temë: “Industria e medias, trendet, dinamika dhe sfidat’’, u organizua nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër), në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, “Ipek University” në Ankara, Universitetin e Prishtinës dhe Unionin e Gazetarëve të Shqipërisë.
 
 
15 Shtator, 2014
Workshop mbi kurrikulën e programeve të departamentit të Shkencave të Komunikimit
 
Në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të kurrikulës dhe përshtatjes së saj me programet e ofruara në vendet perëndimore si dhe përditësimin e tyre me literaturën më të fundit, Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë SHLUP Hëna e Plotë Bedër zhvilloi një Workshop, ku morën pjesë ekspertë të fushës, pedagogë dhe studiues.
 
Në takimin një ditor u diskutua kurrikula dhe brendia e të gjitha lëndëve për programet që Departamenti i Shkencave të Komunikimit ofron, konkretisht Bachelor në Shkenca Komunikimi, si dhe Master i Shkencave në Shkenca Komunikimi në profilet Gazetari dhe Marrëdhënie Publike.
 
Drejtuesi i diskutimit, Zv.Përgjegjës i Departamentit, Z.Ramadan Çipuri vlerësoi si mjaft të rëndësishme nevojën për rishikim të vazhdueshëm të kurrikulave universitare, të cilat sipas tij duhet të përditësohen me zhvillimet në këtë sektor dhe me literaturën më të fundit.
 
Teksa u diskutua mbi kurrikulën në përgjithësi, më pas u analizua përmbajtja e të gjithë lëndëve në mënyrë të detajuar, duke përjashtuar këtu përsëritjen e temave dhe literaturës.
 
Gjatë diskutimeve, një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe metodave që duhen praktikuar për një mësimdhënie sa më efektive.
 
Workshop-i në fjalë ishte një nismë e propozuar nga Këshilli i Sigurimit të Cilësisë pranë SHLUP Bedër.
 
 
 
03.05.2014
Zhvillohet Workshopi Rajonal me temë “Gjuha mediatike e mediave shqipfolëse”
 
Në kuadër të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë (Bedër) në bashkëpunim me Unionin e Gazetarëve, organizoi sot Workshop-in rajonal me temë “Gjuha mediatike e mediave shqipfolëse”.
 
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm rreth 40 përfaqësues mediash në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Kryesisht të mediave vizive, shtypit të shkruar dhe atij online, si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh të shkencave të komunikimit.
 
Si folës kryesor në këtë panl ishin analistët e njohur Z.Kim Mehmeti dhe Z.Lutfi Dervishi. Por duhet theksuar se përgjatë gjithë këtij aktiviteti të gjithë të pranishmit ndanë mendime, përvoja profesionale si dhe referuan në një sër drejtimesh rreth temës së workshopit.
 
Fillimisht të pranishmëve u foli drejtuesi i këtij paneli dhe njëkohësisht shefi Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë Bedër Z. Ramadan Çipuri. I cili pasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve shtroi për diskutim temën e workshopit dhe bëri një rezyme të shkurtër rreth rëndësisë dhe aktualitetit të medias në trevat shqipfolëse.
 
Për t’ia lënë fjalën analistit dhe njëkohësisht kryeredaktorit të Vizion Plus Z. Lutfi Dervishi. Ky i fundit e shtroi diskutimin e tij kryesisht në problematikat dhe çështjet që shqetësojnë aktualisht mediat shqipfolëse në rajon. Duke veçuar ekonominë e medias dhe ndikimet e saj jo vetëm tek gazetarët por edhe tek gazetaria që na ofrohet si pasojë e këtij faktoi.
 
Ndërsa Analisti i njohur Z. Kim Mehmeti bëri një përshkrim dhe analizë të gjendjes aktuale të mediave shqipfolëse në rajon duke trajtuar të ngjashmet dhe të përbashkëtat që këto media kanë, si dhe gjetjen e një mënyre për plotësimin e tyre me faktorët që deri më tani kanë munguar.
 
Për të vazhduar më tej me Z. Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionin të Gazetarëve. Ky i fundit e vuri theksin mbi gjetjen e një gjuhe të përbashkët nga mediat shqipfolëse dhe bashkëpunimin mbi përmirësimin e kushteve në të cilat bëhet gazetaria sot në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
 
Aktiviteti vazhdoi deri në fund të tij me diskutime të shumta nga të pranishmit rreth temës së workshopit.
 
 
 
Datë: 27.03.2014
Kultura dhe arsimi si ura komunikimi midis Shqipërisë dhe Francës
 
Universiteti “Hëna e Plotë” (Bedër), në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Francës në Tiranë, me rastin e javës së Fankofonisë, organizoi panelin me temë “Kultura dhe arsimi si ura komunikimi midis Shqipërisë dhe Francës ".
 
Paneli ishte konceptuar si një tryezë e rrumbullakët, ku të ftuar që vinin nga fusha akademike, media, kultura dhe arti, ndanë idetë e tyre dhe diskutuan në lidhje me rolin që ka kultura dhe arsimi në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës. 
 
Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana, pasi u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në panel, u ndal në rëndësinë e shkëmbimit të vlerave mes kulturave, duke theksuar se qëllimi i organizimit të këtij aktiviteti është një përpjekje për të dhënë një kontribut në këtë drejtim. 
 
Nga ana e saj, Ambasadorja e Francës në Tiranë, znj. Christine Moro u shpreh e kënaqur me organizimin e këtij aktiviteti dhe vuri në dukje dëshirën e ambasadës për të bashkëpunuar me universitetin në organizimin e aktiviteteve të ngjashme. Ajo bëri një përshkrim historik të marrëdhënieve Shqipëri- Francë, duke u ndalur në rolin e madh që ka luajtur Liceu Francez i Korçës. Ndërkohë, që nënvizoi faktin se shkëmbimet kulturore mes dy vendeve, ndonëse kanë një histori të gjatë, vitet e fundit janë intensifikuar duke përmendur dhe emra të mëdhenj të letërsisë dhe artit shqiptar, që përfaqësojnë kulturën shqiptare në Francë, si Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Inva Mula etj.
 
Ndërsa Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, pasi përgëzoi organizatorët për këtë panel, u shpreh se edukimi dhe kultura kanë qenë me të vërtetë dy ura të rëndësishme komunikimi mes dy vendeve. “ Në vitin 2016 kemi 100- vjetorin e pranisë së Francës në Shqipëri. Unë jam plotësisht dakord me temën e panelit dhe e konsideroj tepër të rëndësishme që krahas institucioneve publike, edhe universitetet jopublike i kushtojnë rëndësi kulturës franceze dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. Ky është një tregues mjaft i rëndësishëm dhe për këtë dua të falënderoj Ambasadën e Francës dhe Universitetin Bedër për organizimin e këtij paneli.”- u shpreh ministrja.
 
Me pas të pranishmëve u foli edhe znj. Mimoza Hafizi, depetute e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetare e grupit të miqësisë Shqipëri- Francë në Kuvendin e Shqipërisë. Znj Hafizi foli për themelimin e grupit të miqësisë në Kuvend dhe shkollimin e studentëve shqiptarë në Francë, duke e konsideruar këtë si një mundësi të mirë për të njohur kulturën franceze. Panelistët e tjerë, si Prof. Dr. Petrit Malaj, Prof. Dr Shezai Rrokaj , Prof. Dr. Mark Marku dhe z. Aleksandër Çipa, ndanë pikëpamjet e tyre, në lidhje me temën duke hedhur dhe propozime konkrete në funksion të forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës.
 
Në fund të diskutimeve panelistët dhe të ftuarit e shumtë që ishin të pranishëm, morën pjesë në çeljen e ekspozitës fotografike “ Realitete shqiptare në objektivin e AFP-së”, punime këto të fotoreporterit Genti Shkullaku. Ekspozita përmbante 30 fotografi nga realiteti shqiptar në 3-4 vitet e fundit.
 
 
12.03.2014
Zhvillohet konferenca II studentore: “Komunikimi, media dhe përgjegjësia sociale”
 
Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër) organizoi konferencën e dytë studentore me temë: “Komunikimi, media dhe përgjegjësia sociale”. Në këtë konferencë u prezantuan 18 punime shkencore nga studentët e vitit të tretë të nivelit bachelor. 
 
Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të zv-përgjegjësit të Departamentit të Shkencave të Komunikimit, njëkohësisht edhe kryetari i kësaj konference, dokt. Ramadan Çipuri, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe studentët për punimet e realizuara. Gjatë fjalës së tij, ai vuri në pah rëndësinë që paraqet kërkimi shkencor i vetë studentëve të shkencave të komunikimit, krahas formimit teorik që ata marrin në auditor, si dhe praktikave profesionale që zhvillojnë nëpër media të ndryshme. 
 
Punimet e konferencës i përshëndeti edhe rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana. Para studentëve të pranishëm në sallën e konferencave, Dr. Gjana vlerësoi punën e deritanishme të Departamentit të Shkencave të Komunikimit, i cili, sipas tij, ka qenë mjaft aktiv gjatë këtyre tre viteve që prej hapjes së Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër).
 
Më pas konferenca vazhdoi me prezantimet e studentëve, të cilat u ndanë në tre sesione. Në sesionin e parë, të titulluar: “Etika dhe përgjegjësia sociale në gazetari”, referuan gjashtë studentë. Në sesionin e dytë, të titulluar: “Ekrani, pushteti dhe ndikimi i tij në jetën sociale”, prezantuan punimet edhe gjashtë studentë të tjerë. Sesioni i tretë ishte pak më i veçantë, me titullin: “Realiteti social nëpërmjet zhanrit të reportazhit”, studentët e tjerë prezantuan reportazhet e tyre të realizuar me të tema të ndryshme. 
 
Në fund të konferencës u shpërndanë edhe certifikatat për studentët referues
 
 
 
03.05.2013
Workshop: Mediat lokale shqiptare përballë sfidave të teknologjisë dhe realitetit të kohës.
 
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë Bedër, në bashkëpunim me Unionin Shqiptar të Gazetarëve dhe Institutin Shqiptar të Medias. Organizoi më datë 03.05.2013 Workshopin me temë “Mediat lokale shqiptare përballë sfidave të teknologjisë dhe realitetit të kohës”.
 
Tema tërhoqi vëmendjen e përfaqësueve të 31 mediumeve të ndryshme, lokale, kombëtare. Në takim referuan Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave te Komunikimit në UHPB, Z.Ramadan Çipuri, Ambasadorja e Francës në Tiranë Znj. Christine Moro, Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik z. Mark Marku, Kryetari i Unionit Shqiptar të Gazetarëve Z.Aleksandër Çipa, Kryetari i rrjetit të televizioneve lokale Z. Edmon Isaku etj.
 
Në fjalën e tij Z.Çipuri u fokusua në situatën aktuale me të cilën mediat lokale po përballen. Sipas tij, mediat në tërësi po përballen me realitetin e ri teknologjik, ku interneti po kthehet në një platformë për të gjitha ato. Nga ana tjetër, Znj. Christine Moro, Ambasadore e Francës, pasi vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti në një ditë kaq të rëndësishme për lirinë e shtypit, bëri një pasqyrim mbi realitetin e lirisë së medias në botë, problematikat që hasen më shpesh nga gazetarët duke i ilustruar me shembuj nga tregu mediatik francez. Znj. Moro u ndal më pas në çështjet që lidhen me etikën e medias si një element tepër i rëndësishëm.Ndërkohë kryetari i Unionit të Gazetarëve shqiptarë , Z. Aleksandër Çipa u ndal më shumë në nevojën e respektimit të normave të etikës dhe deontologjisë nga ana e mediave shqiptare. 
 
Më pas të pranishmit firmosën memorandumin e përgatitur nga Unioni i Gazetarëve. Në memorandum vihet theksi në domosdoshmërinë e rithemelimit të një ndërgjegjeje të munguar etike.
 
 
03.05.2012
Workshop: Sfidat e medias shqiptare në ‘Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit’
 
Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit Hëna e Plotë – BEDËR, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë pranë Universitetit të Tiranës, Unionin e Gazetarëve dhe Institutin Shqiptar të Medias, në ditën botërore të lirisë së shtypit organizuan workshop-in me temë “Sfidat e medias shqiptare”. 
 
Përgjegjësi i Departamentit të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë - BEDËR, z. Ramadan Çipuri, Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Artan Fuga, Drejtori i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa, analisti i njohur, njëkohësisht dhe përfaqësuesi i Institutit Shqiptar të Medias, z. Lutfi Dervishi, pedagogë të dy universiteteve dhe drejtues të njohur të medias diskutuan rreth problematikave dhe sfidave kryesore me të cilat përballet media shqiptare. Çështjet e etikës në media, kushtet e vështira të gazetarëve, si dhe perspektivat e zhvillimeve teknologjike ishin pikat kryesore të cilat u diskutuan. 
 
Z. Ramadan Çipuri në fjalën e tij, duke iu referuar të dhënave të raportit më të fundit të publikuar nga “Freedom House”, tha se pavarësisht problematikave me të cilat haset media në Shqipëri, ka pasur zhvillime pozitive. Analisti Lutfi Dervishi, në referimin e tij, u ndal në çështjet e etikës në median shqiptare, duke vënë theksin në mungesën e kodeve të etikës dhe aplikimit të tyre. Ndërkohë gjendja në të cilën punonjësit e sektorit të medias dhe, në veçanti e gazetarëve që punojnë në median shqiptare, ishte çështja kryesore e referimit të drejtuesit të Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa. Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Artan Fuga trajtoi çështjen e sfidave të gazetarisë në kushtet e transformimit teknologjik. 
 
 
 
20.11.2012
Konferenca shkencore kombëtare: “Roli i medias në formimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar”
 
Në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër) organizoi konferencën shkencore kombëtare: “Roli i medias në formimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar”.
 
Me pjesëmarrjen e akademikëve nga universitete të ndryshme dhe specialistëve nga fusha e medias, në referimet e mbajtura u hodhën ide dhe argumente në lidhje me fillimin, zhvillimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar, si dhe pozicionimit të medias në këtë proces të gjatë.Një debat që në të ardhmen do të ketë nevojë për t’u trajtuar në punime të tjera shkencore ishte edhe ai i “identitetit kosovar” dhe “identitetit shqiptar”.
 
Në referimin e tij, Prof. as. dr. Mark Marku theksoi se në gjysmën e dytë të shek. XIX, në mungesë të një kulture të mirëfilltë të librit, shtypi i kohës ishte i vetmi mjet i cili ndihmoi në ngritjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar.
 
Në vazhdim, Dr. doc. Agron Tufa u fokusua tek debati mbi “identitetin kosovar” dhe “identitetin shqiptar”, i cili, sipas tij, po shoqërohet edhe me nismën për krijimin e një shqipeje të veçantë krahas asaj standarde. 
 
 
 
21.02.2012
Konferenca Studentore me temë “Media dhe Politika”
 
Raporti mes medias dhe politikës, një nga çështjet më të diskutuara  nga publiku shqiptar pas viteve ’90, ishte kryetema e Konferencës Studentore “Media dhe politika”, e organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit Hëna e Plotë - BEDËR. Në sesionin e hapjes së konferencës ishin të pranishëm personalitete të rëndësishme nga fusha akademike, politika dhe përfaqësues të medias, të cilët vlerësuan punimet e kësaj konference si një hap pozitiv në formimin akademik të studentëve dhe diskutimin e temave të tilla në një tjetër nivel. 
 
Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, z. Ramadan Çipuri, kryetari i kësaj konference, vuri theksin në rëndësinë që kanë studimet në fushën e medias dhe të politikës. Ndërkohë, Rektori i Universitetit Hëna e Plotë - BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana, në fjalën e tij përshëndetëse njohu të pranishmit me misionin dhe arritjet e deritanishme. 
 
Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Valentina Leskaj theksoi se diskutimi i raporteve midis medias dhe politikës në një konferencë studentore ka një rëndësi të veçantë. Znj. Leskaj u shpreh se pavarësisht marrëdhënieve mes politikës dhe medias në vite dhe vështirësive, në këtë fushë është bërë progres. 
 
Punimet e konferencës i përshëndetën Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Jorgaq Kaçani, Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. As. Dr. Tonin Gjuraj, z. Clive Rumbold, Sekretari i Parë dhe Shef i Sektorit Politik në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, si dhe gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu.