Barbel Moser: Lufta për audiencë fitohet me objektivitet, jo me mjete financiare

Barbel Moser, Drejtore e Zhvillimit Ndërkombëtar në Radio France International mbajti një leksion të hapur me studentët e masterit në Departmentin e Shkencave të Komunikimit. Znj Moser shpjegoi sistemin e funksionimit të Radio France International, gjuhët e komunikimit, stafin e saj, si edhe grupin mediatik në tërësi.
 
Studentët u njohën me fillesat e para të medias ndërkombëtare dhe vazhdimësinë ndër vite. Në të njëjtën kohë, Moser shpjegoi edhe përshtatjen e Radio France International me teknologjinë dhe kalimin e lajmit edhe në forma të tjera komunikimi.
 
Sipas Barbel Moser, objektiviteti është ai që diferencon RFI nga mediat e tjera. Ajo tregoi raste të grupeve mediatike, të cilët zotërojnë teknologji më të mirë por nuk arrijnë të marrin dëgjuesit dhe ndjekësit e RFI, pasi lufta dhe konkurrenca bëhen me objektivitet dhe jo me mjete financiare.
 
Pyetjes se a do të mbijetojë radio, znj Moser iu përgjigj po. Radio do të mbijetojë sepse është një mjet komunikimi pa pagesë, njerëzit kanë afrimitet me radion, si edhe urbanizimi ku njerëzit për shkak të trafikut kalojnë më shumë kohë në makinë e dëgjojnë më shumë radio. Radio mund të ketë audiencë nëse gazetari di të tërheqë vëmendjen, nëpërmjet paraqitjes së lajmit në një formë të veçantë.
 
Pas leksionit, u zhvillua një bisedë interaktive ku znj Moser u drejtoi disa pyetje studentëve, e më pas filloi t’u përgjigjej pyetjeve të tyre. Ajo shtoi se gazetaria është një profesion sa i bukur aq edhe i vështirë por në qendër qëndron pasioni.