Dr.Ramadan Çipuri promovon librin “Vetëcensura, realitete të gazetarisë shqiptare”

Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Bedër, Doc.Dr. Ramadan Çipuri, prezantoi botimin e tij të parë në fushën e gazetarisë dhe komunikimit me titull: “Vetëcensura, realitete të gazetarisë shqiptare”.

Në ceremoninë e promovimit të librit ishin të pranishëm dhjetëra gazetarë aktiv, përfaqësues të mediave të ndryshme në vendin tonë, përfaqësues të shtëpive botuese, akademikë si dhe studentë të shumtë të gazetarisë.

“Vetëcensura, realitete të gazetarisë shqiptare” sjell realitetin mbi të cilin vepron sektori mediatik në Shqipëri. Të dhënat, faktet dhe dëshmitë që shumë shpesh vijnë për herë të parë, të mbledhura përmes dëshmive të gazetarëve, politikanëve, pronarëve të medieve, reklamuesve etj., tregojnë realitetin mbi të cilin ngrihet ky sektor.

Aktiviteti konsistoi në një analizë të mirfilltë të librit nga Prof. Bashkim Gjergji, njëkohësisht edhe redaktuesi shkencor i tij, nga z. Benet Kolekta, drejtuesi i shtëpisë botuese “Papirus” e cila është edhe shtëpia botuese e librit, si dhe nga pjesëmarrësit e shumtë të cilët ndanë komente të ndryshme në lidhje me autocensurën dhe punën disa vjeçare të z. Çipuri.