Mbyllet me sukses fushata ‘Një libër më shumë për Preshevën’’

Studentët e vitit të dytë të programit të masterit shkencor në Shkenca Komunikimi, Kolegji Universitar “Bedër”, mbyllën me sukses fushatën e tyre tre mujore “Një libër më shumë për Preshevën”.

Të ftuar të veçantë të këtij aktiviteti ishin drejtuesit më të lartë të pushtetit lokal në zonat ku jetojnë shqiptarët në Serbi, konkretisht kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Ymeri, nënkryetarja Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, si dhe përfaqësuesi i Komunës së Preshevës, Almir Shaqiri. Nuk munguan edhe përfaqësues të botës akademike, gazetarisë dhe shoqërisë civile.

Aktiviteti ishte ideuar në formën e një programi kulturo-artistik, ku pati performanca të ndryshme në balet, interpretim dhe këngë. Fushata “Një libër më shumë për Preshevën” i kaloi objektivat fillestare për mbledhjen e një mijë librave, falë kontributit të qytetarëve shqiptarë, shkollave dhe shtëpive botuese.

Ndërkohë, rektori i Kolegjit Universitar “Beder”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana ndau me të pranishmit lajmin e mirë, për dhënien e 15 bursave studimi në vitin e ardhshëm akademik për studentët që vijnë nga Lugina e Preshevës.