Takim mes brezash në “Studenti dhe profesioni”

Profesionistë të gazetarisë të diplomuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në SHL “Hëna e Plotë” (Bedër) u takuan me studentë që vazhdojnë studimet në këtë fushë.

Takimi u zhvillua në kuadër të ciklit “Studenti dhe profesioni”, një praktikë e ndjekur kjo prej vitesh brenda Departamentit të Shkencave të Komunikimit.

Të ftuar ishin të diplomuarit e Bedër, Osman Stafa, gazetar në Vizion Plus TV dhe redaktor i emisionit “Oktapod”; Amela Shehu, gazetare e emisionit “Bypass Show” në Vizion Plus TV; Sonila Qazimi, gazetare dhe redaktore e rretheve në Vizion Plus TV; dhe Xhevahir Qardaku, gazetar në ABC News TV.

Panelistët ndanë me studentët  shkencave të komunikimit eksperiencat e tyre disa vjeçare, duke nisur nga ato kur kanë qenë studentë, e deri në sfidat me të cilat përballen në tregun e punës.

Me interes ishin edhe pyetjet e studentëve, të cilët u interesuan për mundësitë e praktikave profesionale në media, ato të punësimit dhe sfidat me të cilat po përballen mediat tradicionale në ditët e sotme.