Trajnim mbi metodat efektive dhe atraktive të raportimit mbi tregun e punës

Si një bashkëpunim midis Departamentit të Shkencave të Komunikimit pranë Shkollës së Lartë “Hëna e Plotë” Bedër dhe projektit Risi Albania, gjatë datave 6-7 Dhjetor u zhvillua një trajnim që synonte aftësimin e studentëve - gazetarë të ardhshëm - mbi metodat efektive dhe atraktive të raportimit mbi tregun e punës në Shqipëri. 

Trajnimi u organizua në katër module të cilat trajtuan temat të lidhura ngushtë me realitetin e sotëm të nevojës së publikut dhe audiencës për informacione sa më interesante dhe të vlefshme, të nevojës së medias për gjenerim audience dhe të ardhurash si dhe të biznesit për sigurimin e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe të përshtatshme.

Trajnimi i ofruar nëpërmjet Dr. Pandeli Pani, profesor në disa universitete Evropiane, paraqiti interes për studentët pjesëmarrës dhe kombinoi më së miri infromacionin teorik mbi mënyrat e raportimit, përfitimin e medias, audiencës dhe biznesit me modelet e suksesshme perëndimore e rajonale dhe eksperiencat e deritanishme në tregun shqiptar, si dhe punën praktike të studentëve nëpërmjet ushtrimeve në grup të lidhura me gjetjen e temës, përzgjedhjen e mënyrës (zhanrit) të trajtimit të saj, gjetjen e burimeve për thellimin e temës si dhe analizën e aspekteve të ndryshme të raportimit.

Ky trajnim përbën vetëm fillimin e një projekti të suksesshëm, i cili do të vijojë me praktika të ndryshme të studentëve në këtë drejtim si dhe përfshirjen e moduleve në kurrikulat mësimore të departamentit.