Workshop-i me temë: ‘’Marrëdhënia e medias me audiencat në epokën digjitale"

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar "Bedër" organizoi workshop-in me temë "Marrëdhënia e medias me audiencat në epokën digjitale". Për të diskutuar në panel morën pjesë Monika Stafa, Kryetare e Këshillit të Ankesave në AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive); Thanas Goga, ekspert i matjes së audiencave dhe profesor në Universitetin e Tiranës; Aleksandër Çipa, Kryetari i Unionit të Gazetarëve; Dr. Erlis Çela, përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër; Dr. Edlira Mali, lektore pranë të njëjtit departament, si dhe Doc. Dr. Ramadan Çipuri, lektor në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës.

Gjatë workshop-it panelistët diskutuan në lidhje me audiencat në epokën dixhitale, ndërtimin e një tregu mediatik, etikën dhe deontologjinë e mediave në Shqipëri si dhe për sfidat e gazetarit përballë multimedialitetit në ditët e sotme.

Një theks i veçantë u vu në mungesën e statistikave të besueshme për matjen e audiencës si dhe nevojën e studimeve mediatike që do t’i vinin në ndihmë AMA-s për të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me rregullimin e tregut mediatik.