Ambasadori i Norvegjisë Jan Braathu, në bashkëbisedim me studentët e Bedër

Ambasadori i Norvegjisë për Kosovën dhe Shqipërinë, Z. Jan Braathu ishte i ftuari i rradhës në leksionin e hapur me temë “Western Balkan, Current Problems and road Ahead”. Gjatë leksionit, Z. Braathu u ndal në problemet kryesore me të cilat haset Ballkani Perëndimor në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, duke trajtuar elementin politik, ekonomik dhe social. Ndër të tjera, ai theksoi mungesën e bashkëpunimit rajonal si një nga pengesat më të mëdha në fushën e zhvillimit të rajonit.

Biseda vijoi më tej me konstatimin e sfidave kryesore, vecanerisht në fushën e “rule of law” e cila sipas tij, përbën një nga objektivat më të rëndësishëm që Shqipëria duhet të arrijë në mënyrë që të jetë e gatshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetje të shumta nga studentët dhe të pranishmit në lidhje me aspekte të ndryshme të situatës në Ballkan. Në fund të leksionit, Z. Braathu u takua me grupin e studentëve që morën pjesë në Konkursin Ndërkombëtar Jessup. Anëtarët e grupit e falenderuan Z. Braathu për mbështetjen që Ambasada e Norvegjisë për Kosovën dhe Shqipërinë ofroi për pjesëmarrjen e Shqipërisë në konkurs.