Bedër dhe ACITAD zyrtarizojnë bashkëpunimin mes tyre.

 
Universiteti “Hëna e Plotë” (Bedër) zgjeron hartën e bashkëpunimeve me institucione të rëndësishme të tregut. Për të vënë në jetë filozofinë e një universiteti me impakt konkret në zhvillimin e shoqërisë, Bedër e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin me biznesin. Pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve të bashkëpunimit me universitete në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera të botës, sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me Dhomën  Shqiptare të Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit (ACITAD).
 
Kjo marrëveshje u firmos nga Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana dhe z. Blenard Durmishi, Drejtor i Komitetit Ekzekutiv të ACITAD-it . Marrëveshja synon të thellojë bashkëpunimin mes dy institucioneve dhe t’i hapë rrugë realizimit të projekteve të përbashkëta.
 
Sipas marrëveshjes, ACITAD do të mbështesë studentët e Universitetit Bedër në praktikat e tyre profesionale dhe do të luajë një rol ndërlidhës në mes tyre dhe kompanive që janë pjesë e kësaj dhome.
 
ACITAD është themeluar në shkurt të vitit 2012 në Tiranë duke pasur si qëllim krijimin e elitës së biznesit shqiptar dhe forcimin e raportit të shtresës së biznesit me shoqërinë dhe vlerat e saj.