Certifikata vlerësuese për punimet shkencore më të mira

Universiteti Hëna e Plotë (Bedër) organizoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për studentët të cilët morën pjesë në konkurset e organizuara për punimet shkencore më të mira në programin bachelor dhe master.

Rektori i universitetit z. Ferdinand Gjana uroi studentët për arritjet e tyre duke përmendur se pjesëmarrja mund të kishte qenë më e lartë por gjithësesi mbetet një fillim i mirë dhe organizimi i konkurseve, si të parët e këtij lloji, ka qënë i një niveli të mirë. Gjithashtu ai nuk la pa përmendur faktin  se ceremonia e dhënies së çmimeve, duke qenë se aktiviteti akademik në universitet është mbyllur, mund të konsiderohet si modeste, por ajo që vlen të theksohet është rëndësia e çmimeve të marra si një tregues domethënës i arritjeve të studentëve.

Gjithashtu, ai theksoi faktin se këto çmime janë hapat e parë në karrierën e studentëve, të cilat në të njëjtën kohë, bashkojnë emrat e tyre me atë të Universitetit Bedër. Në fund të fjalimit z. Gjana shpërndau certifikatat përkatëse për vendet e para.

Ndërsa Drejtori i Zyrës së Kërkimeve Dr. Bajram Karcı pasi uroi studentët për arritjet e tyre dhe falënderoi anëtarët stafit të tij për kontributin e tyre në organizimin e konkurseve theksoi vlerën e kërkimit në jetën akademike të universitetit dhe mbështetjen që Universiteti Bedër ofron për veprimtarinë akademike të stafit dhe studentëve. Dr. Karcı shpjegoi se ideja e organizimit të konkurseve, synon në rritjen e ndërgjegjësimit të rëndësisë së kërkimit të studentëve që në fillim të karrierës së tyre akademike. Ai përmendi se gjatë konkurseve, të gjithë pjesëmarrësit patën mundësinë së bashku me kolegët e tyre të mësojnë se si shkruhet një propozim projekti kërkimor, mënyrën e paraqitjes së tij si dhe mënyrën e shkrimit të temës së diplomës dhe një raporti kërkimor.

Fituesit e çmimit të parë dhe të dytë në konkursin për punimin shkencor më të mirë në nivelin bachelor  ishin Ana Haxhiu dhe  Kadim Rufati ndërsa fituesi i çmimit të konkursit për vlerësimin e temës më të mirë në nivelin master ishte Nereid Shehu.