Hapa konkretë në dialogun ndërfetar myslimano-katolik

Në kuadër të bashkëpunimit për dialogun ndërfetar myslimano-katolik, pas organizimit të disa seminareve dhe takimeve të përbashkëta midis institucioneve të komuniteteve fetare dhe atyre akademike është zhvilluar ditën e mërkurë, me datë 25 nëntor 2015 një vizitë e stafit akademik të Departamentit të Shkencave Islame nga Universiteti Hëna e Plotë Bedër dhe studentëve të vitit të tretë të këtij departamenti në Shkollën e Lartë Teologjike Katolike (Seminari Ndërdioqezian) në Shkodër.

Në krye të këtij delegacioni ishte rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili shoqërohej nga dekani i Fakulteti i Shkencave Humane Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Atakan Derelioglu, Drejtori i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH Dr. Genti Kruja, Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në Universitetin Bedër z. Agron Hoxha, pedagogët z. Erlis Çela, z. Adil Kutlu, Veton Tulla dhe Dr. Xhemal Alsafarti.

Stafi akademik i Universitetit Bedër është pritur në sallën e konferencave të këtij institucioni nga rektori i Seminarit Ndërdioqezian Dom Leonardo Falco, Drejtori i Seminarit Ndërdioqezian At Mario Imperatori, stafi akademik i kësaj shkolle dhe studentët e saj.

Gjatë pjesës së parë të këtij takimi Drejtori i kësaj shkolle At Mario Imperatori ka mbajtur një fjalë përshëndetëse, duke i uruar mirëseardhjen të pranishmëve, të cilët vinin për herë të parë në këtë institucion, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë bashkëpunim në fushën akademike, sidomos për studentët e teologjisë.

Ndërsa Prof. Gjana thesoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të qëndrimeve për pikat e përbashkëta me rëndësi për të gjithë shoqërinë, siç janë respektimi i të drejtave të njeriut, liria e besimit, familja, aborti, edukimi i rinisë me vlerat morale e fetare reciproke, bashkëjetesa në harmoni mes besimtarëve dhe besimeve të ndryshme duhe respektuar dhe njohur secilin në bindjet e veta.

Të dyja palët vlerësuan si mjaft të rëndësishme vizitën dhe kontributin që jep në forcimin e dialogut midis komuniteteve fetare në Shqipëri.

Më pas, studentët nga të dy institucionet, prezantuan programet mësimore përkatëse dhe u ndalën në misionin dhe rëndësinë që mbart formimi i teologëve në Shqipëri. Gjatë bashkëbisedimi studentët nga të dyja palët patën mundësi të shkëmbenin mendime dhe të diskutonin mbi tema të ndryshme me interes të përbashkët.

Pas prezantimit studentët kanë shkëmbyer pyetje dhe përgjigje ndaj njëri-tjetrit lidhur me programet mësimore dhe tema të tjera. Studentët e shkencave islame në Universitetin Bedër prezantua njëkohësisht dhe projektin “Iniciativa globale universitare kundër ekstremizmit”.

Pas drekës së përbashkët, studentët kanë vizituar objektet e kultit islam dhe katolik në qytetin e Shkodrës, Muzeun e Krimeve të komunizmit, si dhe bibliotekën e Seminarit Ndërdioqezian.

Në fjalën e tij të mirëseardhjes në Xhaminë Ebu Bekër, Arben Halluni, përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër ndër të tjera theksoi se, vizita e juaj e përbashkët e studentëve dhe stafit pedagogjik të teologjisë islame dhe asaj katolike vjen në momentin e duhur, kur bota sot ka nevojë shumë për mesazhet e paqes dhe dashurisë, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare dhe ndodheni pikërisht në qytetin e kësaj harmonie, në Shkodër, aty ku xhamia, kisha katolike dhe kisha ortodokse janë kaq pranë njëra-tjetrës.

Gjatë kësaj vizite stafi akademik i të dyja palëve ka zhvilluar një takim pune, ku janë shprehur të gatshëm për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e dialogut ndërfetar, si seminare të ndërsjella, konferenca, panele dhe botime të ndryshme mbi tema të përbashkëta.