“Inovacion në shërbimet publike”, projekti i qeverisë prezantohet para studentëve

 
Idetë e reja në drejtim të përmirësimit të shërbimit që administrata u ofron qytetarëve, janë pika nga ku qeveria shqiptare kërkon të nisë ndryshimin, për sa i përket marrëdhënies së qytetarëve me zyrat e administratës. Pikërisht për të nxitur këto ide, qeveria, së bashku me ekipin e ekspertëve që e mbështet, ka organizuar një konkurs.
 
"Inovacion në shërbimet publike. Thirrje për ide inovative" u prezantua përpara studentëve dhe stafit akademik të Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër) nga ekspertja amerikane, Susan Valaskovic dhe specialistë të kësaj fushe.
Qëllimi i këtij bashkëbisedimi ishte nxitja e studentëve për ide inovative nga të gjithë sektorët e shoqërisë dhe kthimi i këtyre ideve në programe dhe projekte konkrete që transformojnë ofrimin e shërbimit ndaj publikut nëpërmjet inovacionit.
Të pranishëm ishin një numër i konsiderueshëm studentësh dhe akademikësh të universitetit të cilët ndanë pyetjet dhe interesat e tyre, lidhur me projektin në fjalë.
 
Në fund të konkursit i cili do të zgjasë nga data 16 maj deri në 30 qershor, nga të gjithë pjesëmarrësit studentë, akademikë, nëpunës civilë, punonjës të administratës apo edhe pjesëtarë nga shoqëria civile me ide të reja e të pakonsumuara më parë, do të shpallen 5 fitues të një çmimi prej 100 000 lekësh.
 
Të interesuarit mund të aplikojnë duke vizituar portalin www.innovationaward.info