International Fair, rikthehet atmosfera multikulturore në Bedër

Dekanati i studentëve në bashkëpunim me klubet studentore në Universitetin Bedër, zhvilluan panairin e 3-të ndërkombëtar, duke rikthyer sërish atmosferën multikulturore në ambientet e universitetit.

Në 16 stenda u prezantuan flamuj, simbole, personalitete ndërkombëtare, kultura të ndryshme, kuzhina tradicionale të vendeve pjesëmarrëse si dhe tipare karakteristike përfaqësuese për secilin shtet.

Ashtu si çdo vit tjetër edhe këtë herë nuk munguan përfaqësuesit e ambasadave të huaja në Tiranë, përmendim këtu Ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës Jiang Yu dhe  Mr. Dmitry Krasakov, sekretari i parë i Ambasadës Ruse. Të cilët vizituan stendat dhe vlerësuan aktivitetin për mënyrën e organizimit me shumëllojshmërinë e elementeve multikulturore, gjithashtu shprehën mbështetjen e tyre në organizimin e aktiviteteve të tilla në të ardhmen.

Programi vazhdoi më tej me prezantimin e shteteve (kulturave), koreografive tradicionale të vendeve nga vijnë studentët, këngë të kënduara nga studentë vendas e të huaj si dhe kuriozitete të shteteve që u përfaqësuan.

Ky aktivitet synon njohjen e kulturave dhe kombeve  të ndryshme të sjella në një ditë dhe në një ambjent të përbashkët. International Fair tashmë është bërë traditë dhe një dëshmi e bashkëjetesës dhe diversitetit kulturor në Universitetin Bedër.