Kryeredaktorja e emisionit “Opinion”, Desada Metaj e ftuar në seminarin “Studenti dhe profesioni”

Në kuadër të seminareve “Studenti dhe profesioni”, Departamenti i Shkencave të Komunikimit kishte të ftuar ditën e sotme kryeredaktoren e emisionit “Opinion” në Tv-Klan, Desada Metaj.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët znj. Metaj ndau eksperiencat e saj të raportimit në terren si dhe sfidat e profesionit të gazetarit. Duke u nisur edhe nga kurioziteti i studentëve, kryeredaktorja e “Opinion” u tregoi një ditë të zakonshme të organizimit të emisionit politik shumë të ndjekur nga shqiptarët.

Duke u ndalur të pasioni që ka një gazetar për profesionin e tij dhe momentet e vështira gjatë punës në terren, drejtuesja e redaksisë së emisionit “Opinion”, ndau me studentët momentet e përjetuara gjatë raportimit nga Beogradi në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Studentët u interesuan për tema që kanë të bëjnë me marrëdhënien e gazetarëve me politikën si dhe sfidat që ka gazetaria e ditëve të sotme në raport me zhvillimet teknologjike.

Në fund të seminarit studentët patën mundësinë të bëjnë pyetje të ndryshme në lidhje me profesionin e gazetarit, sfidat e terrenit dhe vetëcensurën e gazetarëve të rinj. Nga ana e saj, znj. Metaj i nxiti studentët, që të jenë këmbëngulës në profesionin e tyre të ardhshëm duke ndërtuar një raport të ngushtë me të vërtetën dhe interesin e publikut.