Mbyllet me sukses fushata “Një libër më shumë për Preshevën”

Studentët e vitit të dytë të programit të masterit shkencor në Shkenca Komunikimi, Kolegji Universitar “Bedër”, mbyllën me sukses fushatën e tyre tremujore “Një libër më shumë për Preshevën”.

Të ftuar të veçantë të këtij aktiviteti ishin drejtuesit më të lartë të pushtetit lokal në zonat ku jetojnë shqiptarët në Serbi, konkretisht kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Shukri Ymeri, nënkryetarja Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, si dhe përfaqësuesi i Komunës së Preshevës, Almir Shaqiri. Nuk munguan edhe përfaqësues të botës akademike, gazetarisë dhe shoqërisë civile.

Aktiviteti ishte ideuar në formën e një programi kulturo-artistik, ku pati performanca të ndryshme në balet, interpretim dhe këngë. Të pranishmit patën mundësi të ndiqnin dy dokumentare të përgatitur mbi zonat ku jetojnë shqiptarët në Serbi, si dhe ekspozuan mbi të gjitha punën e bërë në fushatën nga studentët, të cilët konfirmuan mbledhjen e 2 mijë librave në shqip, të cilat do të shkojnë për bibliotekat në Preshevë dhe Bujanoc.

Fushata “Një libër më shumë për Preshevën” i kaloi objektivat fillestare për mbledhjen e një mijë librave, falë kontributit të qytetarëve shqiptarë, shkollave dhe shtëpive botuese. Por mbledhja e dy mijë librave dhe dhënia e një mesazhi solidariteti dhe vëllazërie për shqiptarët në Serbi nuk ishte i vetmi lajm i mirë në këtë aktivitet, pasi rektori i Kolegjit Universitar “Beder”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana ndau me të pranishmit vendimin e institucionit që ai drejton, për dhënien e 15 bursave studimi në vitin e ardhshëm akademik për studentët që vijnë nga Lugina e Preshevës.

Zyrtarët e lartë shqiptarë në Serbi, z. Shukri Ymeri dhe z. Shaip Kamberi shprehën falënderime të sinqerta për iniciativën e studentëve të Kolegjit Universitar “Bedër” për mbledhjen e librave shqip, duke e vlerësuar këtë si një nismë. Z. Ymeri dhe Kamberi e konsideruan një lajm të shkëlqyer vendimin për dhënien e 15 bursave të studimit nga Kolegji Universitar “Bedër” për nxënësit shqiptarë në Serbi dhe premtuan bashkëpunim edhe në të ardhmen me Kolegjin Universitar “Bedër”. Kreu i Komunës së Bujanovcit ftoi studentët e fushatës “Një libër më shumë për Preshevën” dhe drejtuesit e “Bedër” të vizitojnë këtë zonë.

Në fund grupi i studentëve që realizuan këtë fushatë dhe lektorja udhëheqëse Edlira Mali falënderuan të gjithë kontribuesit dhe lanë të hapur mundësinë që çdokush të vijojë të dhurojnë libra shqip për nxënësit në Luginën e Preshevës, të cilët prej vitesh vuajnë mungesën e teksteve shqip.