Nënshkruhet marrëveshja, Bursa studimi për fëmijet e policëve të rënë në krye të detyrës

Universiteti Hëna e Plotë (Bedër) në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimeve ndërinstitucionale brenda dhe jashtë vendit nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë.

Marrëveshja e firmosur nga rektori i Universitetit Hëna e Plotë Bedër Dr. Ferdinand Gjana dhe Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme Genci Gjonçaj, parashikon ofrimin e bursave të studimit nga ana e universitetit për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës. Ky kontribut vjen në kuadër angazhimit dhe misionit të Bedër si një institucion që i jep rëndësi përgjegjësisë sociale dhe për të mbështetur shtresat në nevojë.

Ndër të tjera në marrëveshje parashikohet shtrirja e bashkëpunimit në fushën e edukimit të stafit të ministrisë dhe gjithë institucioneve në varësi të saj sipas programeve të masterit që ofron universiteti, trajnimin profesional dhe programet e praktikave studentore për studentët e Bedër  në institucionet në varësi të ministrisë.

Ndërsa nga ana e saj Ministria e Punëve të Brendshme në bazë të mundësive dhe kapaciteteve, do të ofrojë mundësi për zhvillimin e praktikave mësimore për studentët e Universitetit Bedër.

Gjithashtu palët marrin përsipër që të mundësojnë shkëmbimin e eksperiencave midis stafeve respektivë, duke organizuar aktivitete të tilla si: forume të hapura, fushata sensibilizuese, seminare, konferenca, etj.

Fushat e bashkëpunimit:

·         Trajnime të stafit përkatës

·         Shkëmbime të eksperiencave ndërmjet stafit

·         Praktika mësimore

·         Bursa studimi

·         Mbështetje logjistike (Përmirësim të infrastrukturës)