"Një libër më shumë për Preshevën"

Studentët e vitit të dytë në programin master shkencor në Shkenca Komunikimi, Kolegji Universitar “Bedër”, prezantuan fushatën sensibilizueze: “Një libër më shumë për Preshevën”. Nisma bëri bashkë personalitete të fushave të ndryshme, përfaqësues të botës akademike, të politikës, gazetarisë dhe shoqërisë civile.

I ftuari i nderit në këtë aktivitet, kryetari i Komunës së Preshevës, z.Shqiprim Arifi, ndau me të pranishmit lajmin e mirë se, më në fund po shkon drejt zgjidhjes problematika shumëvjeçare e mungesës së teksteve shqip për nxënësit në shkollat e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit. Drejtuesi më i rëndësishëm vendor në Luginën e Preshevës kërkoi më shumë vëmendje dhe angazhim nga Shqipëria për këtë rajon, duke e konsideruar nismën studentore për mbledhjen e librave dhe mjeteve mësimore si një simbol të veçantë.

Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana shprehu vlerësimin e tij maksimal për fushatën e studenteve dhe përveç tre bursave të studimit për gjimnazistët e Luginës së Preshevës, u premtoi studentëve mbështetje të mëtejshme.

Zv-ministri i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Shpati Kolgega e konsideroi fushatën “Një libër më shumë për Preshevën”, një nismë me dimension shpirtëror që bën bashkë të rinjtë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Z. Kolgega premtoi angazhimin e tij që nisma të jetë mbarëkombëtare me përfshirjen edhe të shkollave dhe universiteteve të tjera.

Publicisti dhe pedagogu Agron Tufa dha shembullin konkret të ndihmës në këtë fushatë, duke dhuruar 200 libra. Të ftuarit e tjerë përgëzuan nismën dhe shprehën angazhimin e tyre për këtë nismë.

Në pak ditë të nismës janë grumbulluar nga individë dhe biznese afro një mijë libra dhe një shumë e konsiderueshme monetare, të cilat do të dërgohen nga studentët e Kolegjit Universitar “Bedër” në shkollat e Luginës së Preshevës në fillim të muajit mars.