Rreth 20 mësues trajnohen për teknikat e reja në mësimdhënien e gjuhës Angleze

“Zhvillimet e fundit në mësimdhënien e gjuhës angleze” ishte tema e Workshopit që u mbajt sot në ambientet e Universitetit Hëna e Plotë (Bedër). Në këtë aktivitet morën pjesë mësues dhe studentë të shumtë nga qyteti i Tiranës.

Qëllimi i këtij seminari ishte rinovimi i njohurive në mësimdhënien e gjuhës angleze duke ndarë përvoja, histori dhe prezantime të shumta nga instruktorë të kualifikur në këtë fushë. Pjesë e seminarit gjithashtu ishte njohja me teknologjitë e reja në mësimdhënie dhe ndërgjegjësimi i pjesmarrësve për futjen e tyre në proceset mësimore.

Më konkretisht, temat e trajtuara ishin: “Mësimi nëpërmjet dëgjimit”, “Të mësosh Anglisht përmes mënyrave të mësimit TIK” dhe “Teknologjitë e reja në mësimdhënie”.

Njohja me mënyrat e reja të komunikimit me studentët apo zhvillimi i teknologjisë dhe ndikimi i tij në mësimdhënie mbetet parësor përsa i përket metodave më të përshtatshme për të zhvilluar mësimdhënien e gjuhën angleze.

Ndërkohë, pjesëmarrësit vlerësuan seminarin duke inkurajuar aktivitete të ngjashme me arsyetimin se organizime të tilla luajnë rol mjaft të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.