Seminar i përbashkët me Agjensinë e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI)

 
 
 
Zyra e Koordinimit të Projekteve nw  Universitetin  “Hёna e Plotё” (Bedër) organizoi një seminar lidhur me kërkimin për projekte, ku u ftuan ekspertë të Agjensisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI), për të diskutuar lidhur me Programin Europian Horizon 2020, Euraxess, JRC dhe Kartën Europiane për Kërkuesit dhe Kodin e Sjelljes për Rekrutimin e Kërkuesëve. Objektivi i këtij seminari ishte njohja e kërkuesëve dhe stafit akademik me programet Europiane që financojnë projektet e kërkimit dhe zhvillimit. 
 
Komisioni Europian i ka kushtuar një rëndësi të veçantë, Kërkimit Shkencor në rajon dhe Zgjerimit të Zonës Europiane të Kërkimit. Janë pikërisht programet Horizon 2020, Qendrat e Përbashkëta të Kërkimit – JRC, Rrjeti Euraxess që mundësojnë realizimin e këtij objektivi. 
 
Programi Europian Horizon 2020, ofron mundësi të shumta për financimin e Projekteve Kërkimore duke prekur të gjitha fushat sociale dhe shkencore. Ky program ka në dispozicion një buxhet prej 80 bilion Euro të cilat pritet të fitohen nga Projekt Propozimet e Kërkimit që shpallen fituese. 
 
Qendrat e Përbashkëta Kërkimore – JRC kanë si detyrë të sigurojnë mbështetje teknike dhe shkencore për projektet e zhvillimit, vënien në zbatim dhe kontrollin e politikave të Bashkimit Europian. JRC disponon kapacitete analitike të shumëllojshme, një seri laboratorësh shumë të specializuar, impiante dhe instrumente matëse bashkëkohore. JRC përqendrohet mbi kontekstin normativ, mbi zhvillimin e standardeve të matjeve dhe mbi mbështetjen e zonave kyçe si energjia, transportet, informacionin, kiminë dhe bioteknologjinë. Jepet gjithashtu një mbështetje mbi formulimin e politikave ekonomike, fiskale të tregut. JRC vë në dispozicion laboratorët që janë shumë të specializuar dhe është e hapur për të gjitha format e bashkëpunimit. 
 
Rrjeti Euraxess ka si qëllim rritjen e lëvizshmërisë të Kërkuesve Shqiptar duke ofruar vende pune për fusha të ndryshme kërkimi. Ndërsa Karta Europiane për Kërkuesit dhe kodi i Sjelljes për Rekrutimin e Kërkuesit disiplinon dhe rregullon punësimin dhe të drejtat e kërkuesit. 
 
Në seminar morën pjesë një numër i madh pedagogësh dhe kërkuesish nga fusha të ndryshme. Seminari pati një impakt pozitiv për sa i përket ndërgjegjësimit lidhur me fushën e kërkimit, nëpërmjet prezantimit të anëtarëve të stafit me programet kryesore Europiane që mbështesin projektet kërkimore. Ky seminar u dha njëkohësisht kërkuesëve mundësinë të vendosin kontakte me ekspertët dhe të marrin informacion të drejtpërdrejtë mbi mënyrat e kërkimit dhe financimit të projekteve.