Bedër diplomon brezin e dytë të studentëve

Universiteti Hëna e Plotë Bedër, diplomoi brezin e dytë të studentëve në një ceremoni të organizuar me këtë rast në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

154 studentë nga 15 vende të ndryshme botës nën brohëritjet e familjarëve dhe duartrokitjet e të pranishmëve hodhën në ajër kapelet e diplomimit duke shënuar kështu mbylljen e një etape mjaft të rëndësishme në jetë.

Në ceremoni ishin të pranishëm Zv Ministrja e Arsimit dhe Sportit Nora Malaj, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Skënder Bruçaj, Rektori i Universitetit Europian të Tiranës Tonin Gjuraj, Rektori i Universiteti Epoka Remzi Altın, Rektori i Universitetit të Durrësit Mit'hat Mema, Delegacioni i Universitetit “Della Calabria” në Itali, personalitete të shumtë nga bota akademike, pedagogë universitetesh, familjarë të të diplomuarve si dhe përfaqësues nga fusha e medias dhe biznesit.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Rektori i Universitetit Bedër Dr Ferdinand Gjana uroi studentët e diplomuar dhe u shpreh entuziast për suksesin e arritur në këto tre vite si dhe për ecurinë e universitetit duke e konsideruar këtë ceremoni diplomimi si një pikë të rëndësishme në konsolidimin e mëtejshëm të institucionit.

“Momente të caktuara në jetë janë të mbushura plot me ndjenja dhe energji pozitive. Kështu janë edhe ceremonitë e diplomimit, të cilat shënojnë një pikë finalizimi të një pune disavjeçare me sukses. Ndiej shumë emocion, energji dhe motivim në këtë moment shumë të bukur dhe gjithashtu historik për ju studentë që po diplomoheni.”- tha ai.

Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj uroi studentët me rastin e diplomimit dhe theksoi se marrja e dijes është një obligim që njeriu duhet ta ndjekë gjatë gjithë jetës së tij. Më tej ai shtoi se Bedër ka ecur gjithmonë krah cilësisë në mësimdhënie dhe edukim si i tillë në një kohë shumë të afërt këto të diplomuar do të jenë në çdo fushë të jetës profesionale, duke dhënë kontributin e tyre si profesionistë dhe njerëz me vlera.

Nga ana e saj Zv Ministrja Nora Malaj, pasi përshëndeti të pranishmit dhe uroi studentët e diplomuar u ndal në imazhin dhe cilësinë që ka ndërtuar universiteti Bedër deri më tani. Ajo i inkurajojë studentët e diplomuar që të përpiqen të gjejnë gjithmonë më të mirën në drejtimet që do të marrin në jetë. Më tej ajo ndau me të pranishmit historinë se si 3 vjet më parë ishte bërë referencë që një prej studentëve të sapodiplomuar të ndiqte studimet e larta pranë Universtetit Bedër.

Tashmë në vitin e tij të 4-rt akademik Bedër është kthyer në një qendër edukimi ku promovohet dija dhe kërkimi shkencor si pjesë e pandashme e misionit të këtij institucioni.