Arsimi dhe kultura, ura komunikimi ndërmjet Shqipërisë dhe Francës

Universiteti “Hëna e Plotë” (Bedër), në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Francës në Tiranë,  me rastin  e javës së Fankofonisë, organizoi panelin me temë “ Kultura dhe arsimi si ura komunikimi midis Shqipërisë dhe Francës ”.  Paneli ishte konceptuar si një tryezë e rrumbullakët, ku të ftuar që vinin nga fusha akademike, media, kultura dhe arti, ndanë idetë e tyre dhe diskutuan në lidhje  me rolin që ka kultura dhe arsimi në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës.   
 
Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana, pasi u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në panel, u ndal në rëndësinë e shkëmbimit të vlerave mes kulturave,  duke theksuar se qëllimi i organizimit të këtij aktiviteti është një përpjekje për të dhënë një kontribut në këtë drejtim. 
 
Nga ana e saj, Ambasadorja e Francës në Tiranë, znj. Christine Moro u shpreh e kënaqur me organizimin e këtij aktiviteti dhe vuri në dukje dëshirën e ambasadës për të bashkëpunuar me universitetin në organizimin e aktiviteteve të ngjashme. Ajo bëri një përshkrim historik të marrëdhënieve Shqipëri- Francë, duke u ndalur në rolin e madh që ka luajtur  Liceu Francez i Korçës. Ndërkohë, që nënvizoi faktin se shkëmbimet kulturore mes dy vendeve, ndonëse kanë një histori të gjatë, vitet e fundit janë intensifikuar duke përmendur dhe emra të mëdhenj të letërsisë dhe artit shqiptar, që përfaqësojnë kulturën shqiptare në Francë, si Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Inva Mula etj.
 
Ndërsa Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, pasi përgëzoi organizatorët për këtë panel, u shpreh se edukimi dhe kultura kanë qenë me të vërtetë dy ura të rëndësishme komunikimi mes dy vendeve. “ Në vitin 2016 kemi 100- vjetorin e pranisë së Francës në Shqipëri. Unë jam plotësisht dakord me temën e panelit dhe e konsideroj tepër të rëndësishme që krahas institucioneve publike, edhe universitetet jopublike i kushtojnë rëndësi kulturës franceze dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. Ky është një tregues mjaft i rëndësishëm dhe për këtë dua të falënderoj Ambasadën e Francës dhe Universitetin Bedër për organizimin e këtij paneli.”- u shpreh ministrja.
 
Me pas të pranishmëve u foli edhe znj. Mimoza Hafizi, depetute e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetare e grupit të miqësisë Shqipëri- Francë në  Kuvendin e Shqipërisë. Znj Hafizi foli për themelimin e grupit të miqësisë në  Kuvend dhe shkollimin e studentëve shqiptarë në Francë, duke e konsideruar këtë si një mundësi të mirë për të njohur kulturën franceze. Panelistët e tjerë, si Prof. Dr. Petrit Malaj, Prof. Dr Shezai Rrokaj , Prof. Dr. Mark Marku dhe z. Aleksandër Çipa, ndanë pikëpamjet e tyre, në lidhje me temën duke hedhur dhe propozime konkrete në funksion të forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës.
 
Ekspozita
Në fund të diskutimeve panelistët dhe të ftuarit e shumtë që ishin të pranishëm, morën pjesë në çeljen e ekspozitës fotografike “ Realitete shqiptare në objektivin e AFP-së”, punime këto të fotoreporterit  Genti Shkullaku. Ekspozita përmbante 30 fotografi nga realiteti shqiptar në 3-4 vitet e fundit.