Zhvillohet simpoziumi ndërfetar: "Familja në këndvështrimin e Krishterë dhe Islam"

Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Akademinë Teologjike Orthodhokse, Durrës dhe Instituti Filozofik e Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezan, Shkodër, zhvilluan simpoziumin ndërfetar të radhës me temë “Familja në këndvështrimin e Krishterë dhe Islam”.

Familja si faktor themelor në mbarëvajtjen e shoqërisë, këndvështrimet përkatëse teologjike të saj, apo çështje të ndryshme, që prekin aspekte thelbësore të familjes në ditët e sotme, siç janë: edukimi i fëmijëve, respekti ndaj prindërve, komunikimi i vazhdueshëm ndërmjet pjesëtarëve të saj, përkujdesja ndaj familjes etj, ishin disa nga pikat e shumta në të cilat u përqendrua simpoziumi i sotëm.

Paneli i referuesve i moderuar nga Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, Dr. Genti Kruja, përbëhej nga Atë Mario Imperatori, Drejtori i Institutit Katolik, Shkodër, z. Thoma Çomëni, Pedagog në Akademinë Teologjike Orthodhokse, Durrës dhe z. Elton Karaj, Pedagog në Departamentin e Shkencave Islame në Bedër.

Po ashtu në panel ishte i pranishëm edhe Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar Bedër, i cili në fjalën e tij përshëndetëse pasi falenderoi stafet adademike dhe studentët e pranishëm të të tre institucioneve për pjesëmarrjen në këtë simpozium, theksoi rëndësinë, që zënë aktivitete të tilla, jo vetëm në edukimin e brezave të rinj në kontekstin familjar dhe shoqëror, por edhe në konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpinimeve ndërfetare në vendin tonë.

Ndërsa Atë Mario Imperatori u ndal në rrezikun bashkëkohor, apo faktorët e shumtë, që çojnë në shkatërrimin e familjes e më pas në atë të shoqërisë së përbashkët.

 “Sot shoqëria është e lëngët, e organizuar mbi individualizmin, fundamentalizmin ekonomik, koncepte të cilat rrezikojnë stabilitetin e familjes”- tha ai gjatë fjalës së tij.

Më pas z. Thoma Çomëni, referimi i të cilit u fokusua në familjen bërthamë, ku secili person është i barabartë, meriton të respektohet, e po ashtu të kujdeset e të sigurojë mbarëvajtje, komunikim e dashuri ndërmjet pjesëtarëve të tjerë. Edukimi i fëmijëve, apo edhe i brezit të ri në përgjithësi ishin po ashtu ndër pikat e veçanta të fjalës së tij.

“Fëmijët janë konturi i familjes, ndërsa familja e shoqërisë dhe ardhja e fëmijës është një mision i vëshitrë, që kërkon rigorozitet në përmbushjen e tij”- u shpreh ai.

Aktiviteti u mbyll me referimin e z. Elton Karaj, i cili fillimisht përgëzoi nismën për komunikim ndërmjet institucioneve të ndryshme fetare në vend. Në mënyrë të veçantë kryetarët e komuniteteve fetare për vizionin e treguar në këtë aspekt. Fjala e tij u përqendrua në shembujt profetik të familjes, konkretisht në respektin e ndërsjelltë prind-fëmijë, përkujdesja ndaj familjes, duke u nisuar që nga aspekti material e më tej, edukimi fetar, si baza e një famileje të shëndetshme për shoqërinë.

Më tej ishte radha e studentëve të pranishëm nga të tre institucionet, të cilët i dhanë një formë interaktiviteti simpoziumit të sotëm me pyetje të shumta rreth temës, që iu bënë panelistëve.

Në fund të aktivitetit pjesëmarrësit vizituan ekspozitën fotografike me titull: “Harmonia Ndërfetare në Shqipëri”, të organizuar me këtë rast. Pjesë e saj ishin ngjarje të ndryshme historike, apo edhe aktivitete të shumëllojshme ndërfetare të organizuar nga bashkësitë fetare ndër vite në vendin tonë.