Zhvillohet simpoziumi shkencor me temë: “Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”

Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër në bashkëpunim me Institutin Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër  dhe Akademinë Teologjike Orthodhokse, Durrës, organizuan simpoziumin shkencor me temë: “Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”

Punimet e këtij aktiviteti u përshëndetën nga Dekani i Akademisë Teologjike Orthodhokse Hirësi Nikolla Hyka, rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Drejtori i Institutit Teologjik Katolik Atë Mario Imperatori, si dhe peshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës në Boston, Hirësi Ilia.

Pas fjalës përshëndetëse të të lartëpërmendurve aktiviteti vazhdoi më tej me referimet e z. Veton Tulla, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame në Universitetin Bedër, i cili referoi mbi temën: “Krijimi është kryeargumenti i ekzistencës së Zotit”, z. Lorenzo Rosseti, pedagog në Institutin Teologjik Katolik me temë “Kujdesja e natyrës për një përparim të vërtetë”, si dhe z. Natan Hoppe, pedagog në Akademinë Teologjike Ortodokse me temë “Krijmi, kungim me Zotin”.

Në këtë aktivitet të përbashkët merrnin pjesë gjithashtu edhe Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër, Dr. Genti Kruja, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame & Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH, Dr. Atakan Derelioglu, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër, si dhe pedagogë e studentë nga të tre shkollat teologjike.

Pas referimeve, ishte radha e studentëve të pranishëm nga të 3 institucionet të cilët me pyetjet e drejtuara referuesve i dhanë një formë interaktiviteti simpoziumit në fjalë.

Ky organizim vjen pas një fillimi të një bashkëpunimi akademik midis shkollave të larta teologjike, si seminare dhe leksione të hapura me studentët e secilës shkollë dhe së fundmi edhe simpoziumi “Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”, organizuar para disa kohësh nga tre institucionet e larta teologjike, në ambientet e  Universitetit Bedër.