Zhvillohet workshopi i tretë ndërkombëtar në shkencat e edukimit

Departamenti i Shkencave të Edukimit në Universitetin Bedër, zhvilloi workshopin e 3-të ndërkombëtar në shkencat e edukimit me temë: “Perspektiva të zhvillimit të kurrikulave në programet e formimit për mësues dhe roli i arsimit të lartë”.

Në këtë workshop morën pjesë dekanë dhe lektorë të Fakulteteve të Edukimit dhe Shkencave Sociale, specialistë dhe kontribues të ndryshëm në fushën e hartimit dhe zhvillimit të kurrikulave të arsimit parashkollor dhe fillor nga universitete të ndryshme të vendit.

Workshopi u zhvillua në formën e një tryeze të rrumbullakët ku panelistët e pranishëm diskutuan dhe prezantuan punimet përkatëse rreth aspekteve të ndryshme të reformimit të kurrikulave të formimit të mësuesve. Po ashtu, qasjet e reja në këtë fushë, përgatitja e studentëve në përputhje me kërkesat e tregut të punës si dhe rolin që mund të luajnë institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat në këtë proces reformimi ishin disa nga pikat ndër të cilat u zhvillua tema ndërmjet specialistëve të arsimit dhe përfaqësuesve politikbërës të pranishëm në aktivitet.

Aktiviteti vazhdoi më tej me rekomandimin e mundësive të reja si vazhdimësi e diskutimeve rreth këtyre problematikave në arsimin shqiptar.