Zhvillohet workshopi mbi praktikat e reja në fushën e mësimdhënies

Praktikat apo tematikat e reja në fushën e mësimdhënies janë një element mjaft i rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit të edukimit.

Në këtë kontekst, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Kolegjin Universitar Bedër, zhvilloi workshopin rajonal me rreth 100 mësues të ciklit 9- vjeçar dhe të mesëm të qarkut të Tiranës.

Në panelin hapës të këtij aktiviteti ishin të pranishëm edhe përfëqësuesit e institucioneve bashkëpunuese si Znj. Elena Dimo, përfaqësuese e Drejtorisë Arsimore Rajonale e Qarkut të Tiranës, si dhe Z. Oltjon Haka, përfaqësues i Këshillit Britanik në Tiranë.

Gjatë fjalës së tyre përshëndetëse ata u ndalën në rëndësinë që luajnë trajnime të tilla në zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale te mësuesit e gjuhës angleze dhe vlerësuan pjesëmarrjen e konsiderueshme të tyre. Më tej, theksuan gatishmërinë e institucioneve që përfaqësojnë në organizime të tjera të ngjashme.

Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Bedër, Dr. Isa Erbaş, pasi ju uroi mirësëardhjen të pranishmëve, u ndal në rëndësinë që ka përvetësimi i metodave të reja në fushën e mësimdhënies.

“Nga viti në vit, ndryshimet në teknologjinë e mësimdhënies, metodat e shpjegimit apo aplikimit të ideve të reja, janë të shumta. Detyrimisht, lind nevoja e aplikimit të tyre, prandaj, trajnime të tilla luajnë një rol të rëndësishëm në përvetësimin e tyre” –tha ai.

Ndërsa paneli i referuesve përbëhej nga pedagogë shqiptarë e të huaj, përmendim këtu Znj. Elida Tabaku, Pedagoge në Universitetin e Tiranës. Në referimin e saj mbi rolin që luajnë mësuesit e gjuhës angleze në zgjerimin e kreativitetit të këtij programi studimi, u ndal në trajtimin e gjerë të këtij koncepti dhe mënyrave të aplikimi të tij, rëndësinë që ka mësimdhënia e gjuhës angleze ne aspekte të ndryshme të jetës profesionale të individit, përse na nevojiten mësuesit kreativ, aplikimin e kreativitetit gjatë leksioneve me studentët, etj.

“Vetëm mësuesit kreativ i ndihmojnë nxënësit apo studentët të zgjerojnë mënyrën e mendimit kreativ”- tha ajo.

Referuesi i radhës ishte Z. Robert Cook, pedagog me shtetësi Anglze, i cili njohu të pranishmit me gjuhën angleze të folur. Ndër metodat që z. Cook ndau me ta për të përvetësuar të folurën e gjuhës angleze, përmendim: diskutimet e vazhdueshme me studentët, vargjet e këngëve, recitimin e poezive, leximin e sa më shumë librave, tregimin e historive etj.

Më tej, Znj. Sarah Eagan, pedagoge Kanadeze e cila aktualisht është pjesë e satifit të (MIST) referoi mbi zhvillimin e aftësive të shkrimit në gjuhën angleze. Ajo theksoi rëndësinë e aftësimit gramatik të studentëve si pjesë të pandashme në përvetësimin e çdo gjuhe të huaj. Praktikimi sa më i shpeshtë i studentëve në artikuj të ndryshëm gazetash, libra jashtëshkollorë, filma apo elementë të tjerë që pasurojnë shprehinë e studentëve ishin disa nga udhëzimet e shumta të cilat ajo i ndau me mësuesit dhe studentët e pranishëm në trajnim.

PhD. William K. Martin, SHBA, së fundmi pjesë e stafit të Departamentit të Gjuhës Angleze në Bedër, u ndal në strategjitë e reja që aplikohen në përvetësimin e gjuhëve të huaja.

Ndarja e eksperiencave personale, praktikimi i gramatikës përkatëse, mësimi i sa më shumë fjalëve të huaja, diksioni si element thelbësor në pronuncimin e gjuhës, aktivitetet ekstrakurrikulare etj, ishin disa nga sugjerimet e shumta të cilat ai i bëri pjesë të referimit të tij.

Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetje të shumta nga mësuesit e pranishëm, të cilat përmendën aspekte të shumta rreth temës së trajnimit në fushën e mësimdhënies.