Zyra e të diplomuarve në Bedër organizon për herë të parë “Bedër Alumni Reunion 2017”

Ky aktivitet, i zhvilluar në “Sheraton Hotel Tirana” mblodhi sëbashku qindra studentë të diplomuar ndër vite nga institucioni ynë, prindër e të ftuar special, përfaqësues të medias, fushës së edukimit, komuniteteve fetare si dhe figura të njohura nga bota e artit dhe muzikës në vendin tonë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Institucionit Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u shpreh i sigurtë se lidhja e institucionit që ai drejton me studentët e diplomuar vit pas viti do të jetë e fortë dhe do të ketë vazhdimësi të shëndetshme për të dyja palët.

“Aktiviteti i sotëm e shpreh qartë vendosmërinë tonë për të patur një marrëdhënie të fortë me studentët e diplomuar edhe gjatë jetës së tyre pasuniversitare” – tha ai.

Aktiviteti vazhdoi më tej me prezantimin e zyrës së të diplomuarve në institucionin tonë nga Ermira Shkreta, koordinatore e zyrës e njëkohësisht e diplomuar në Departamentin e Drejtësisë, e cila njohu të pranishmit me strukturën e zyrës, funksionin për të cilin është hapur kjo zyrë, aktivitetet e organizuara deri më tani si dhe planet afatgjata të saj.

“Qëllimi i zyrës është afirmimi i vlerave të institucionit ashtu siç konkretizohen nga të diplomuarit duke promovuar bashkëpunimin mes tyre dhe me studentët aktuale për të zhvilluar rrjetet profesionale, marrëdhëniet e mentorship-it dhe pjesëmarrjen nëpër aktivitete të organizuara nga institucioni” – tha ajo.

Pas disa minutave nën shoqërinë e violinistëve të shquar të Familjes Qerimaj, aktiviteti vazhdoi më tej me ndarjen e çmimeve, ku përpos çmimeve vlerësuese për studentët e diplomuar ndër vite nga institucioni ynë, në mbrëmjen gala u ndanë edhe disa çmime speciale për figura të njohura, për kontributin e tyre në sfera të ndryshme të shoqërisë tonë.

Me motivacionin për kontribut të veçantë në fushën e dialogut, bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare dhe sidomos për iniciativën e bashkëpunimit në fushën e dialogut akademik midis tre shkollave teologjike: islame, katolike dhe ortodokse, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Z.Skender Bruçaj i dorëzoi Atë Mario Imperatorit çmimin për kontribut të veçantë në dialog dhe harmoni ndërfetare.

Z.Agron Tufa iu dorëzua çmimi për “Kontribut të veçantë në letërsinë shqipe” nga Rektori i Institucionit Prof. Dr. Ferdinand Gjana, me motivacionin për rrëfimin e gjallë e sugjestiv, plot imagjinatë në romanet e tij, me një regjistër të pasur figurativ, stilistik e gjuhësor, dhe për poezinë e ngjeshur ku shkrihen gjendjet liriko-filozofike tok me emocionin artistik.

Ndërsa z. Erlad Bakalli, Zv. Rektor i Universitetit të Arteve i dorëzoi Znj. Myfarete Laze çmimin për “Kontribut të veçantë në art, kulturë dhe paqe sociale” me motivacionin për kontribut të veçantë në promovimin e artit, kulturës dhe vlerave humane, për përcjelljen e dashurisë për jetën, lirinë dhe qenien më të përkryer, njeriun.

Për të vazhduar më tej me Z. Shaban Nexhi, të cilit i’u dorëzuar nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Bedër Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi çmimi për “Arritje të larta profesionale dhe kontribut në sigurinë e shoqërisë” me movitacionin për kontribut madhor në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së vendit, për veprimtarinë e çmuar në promovimin dhe mbrojtjen e informacioneve dhe të dhënave personale si dhe nivelin e lartë të profesionalizmit të shfaqur në punë.

Me motivacionin për kontribut të veçantë në mbështetjen e kauzave sociale, në ndërgjegjësimin e shoqërisë për më shumë kujdes dhe ndihmë për individë dhe grupe shoqërore me probleme sociale dhe shëndetësore, Prof. As. Dr. Genta Skura i dorëzoi ish studentes së diplomuar në Programin Master i Shkencave në Marrëdhënie me Publikun Znj. Dhurata Hysaj çmimin për “Arritje të larta profesionale dhe kontribut në promovimin e vlerave humane”

Për të vazhduar më tej me çmimet vlerësuese që i’u ndanë studentëve të diplomuar ndër vite nga institucioni ynë.

Kështu “Çmimi i karrierës” shkoi për studenten e diplomuar në Drejtësi, Emsal Ajredini, me motivacionin “Për arritjet e spikatura profesionale, duke reflektuar shembullin e një profesionisteje të shquar në fushën e saj dhe duke u bërë burim frymëzimi për studentët, të diplomuarit e tjerë, si dhe për komunitetin në tërësi”.

Çmimi “Gruaja e suksesshme” i cili i’u dorëzua Ana Gjecit, studente kjo e diplomuar në Shkenca Islame, për mbështetjen, inkurajimin, bashkëpunimin dhe përpjektet e pakursyera në fuqizimin e rolit të gruas, si forcë e madhe e shoqërisë sonë, duke krijuar më shumë siguri sociale, politike dhe ekonomike për to.

Me motivacionin: “Për kontributin e çmuar intelektual dhe material ofruar për Kolegjin Universitar “Bedër” me ndikim në rritjen e reputacionit si dhe duke mbështetur brezat e diplomantëve dhe studentëve në integrimin më lehtë me tregun e punës apo me rrjetet profesionale.” Çmimi Bedër shkoi për Gazetarin e Vizion Plus, Osman Stafa, ish student i diplomuar në Shkenca Komunikimi.

Hysni Merja, i diplomuar në Shkenca Islame u vlerësua me çmimin “H.Vehbi Dibra”, për kontributin e vyer në arsim, shkencë, art dhe paqe sociale duke përçuar vlera morale, etike dhe universale në shoqërinë shqiptare dhe përtej saj në gjurmët e figurës së ndritur të H. Vehbi Dibrës.

Ndërsa çmimi “Eagle”, për veprimari të dalluar në ndërgjegjësimin dhe marrjen e përgjegjësive sociale në dobi të shoqërisë duke mbajtur gjallë vlerat kulturore kombëtare dhe duke kontribuar për kategoritë e njerëzve në nevojë, shkoi për Gazetaren e Radio Spektrum, Rabihana Halili, ish studente e diplomuar në Shkenca Komunikimi.

Aktiviteti vazhdoi më tej nën tingujt e muzikës së violinistëve të ftuar me këtë rast.