Programi Veror i Internship-it (Praktikës së Punës)

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shpall hapjen e programit veror të internship-it (praktikës së punës), një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të rinjtë që janë të interesuar për të ndjekur një karrierë në sektorin publik. Nëpërmjet këtij programi intensiv dy-mujor, pjesëmarrësit do të njohin nga afër punën në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Institucioneve të saj, duke punuar ngushtë me stafin e ministrisë, në zyrat rajonale të institucioneve të MMSR-së apo në qendrat publike të përkujdesit. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është një vend unik për të rinjtë që janë të interesuar të njihen me ose të punojnë në sektorin publik, për vetë natyrën e punës, misionit të saj, dhe shtrirjes së gjerë të fushës së veprimtarisë në zhvillimin dhe zbatimin e politikave për të gjithë popullatën, nga mosha e tretë, të rinjtë, dhe fëmijët.     
 
Qëllimi i programit është të inkurajojë të rinjtë të marrin pjesë aktive në shoqëri, si dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale. Pjesëmarrësit do të fitojnë një eksperiencë të vlefshme pune, duke marrë përsipër detyra komplekse dhe stimuluese në zbatimin e politikave në fusha të tilla si punësimi, arsimi dhe formimi profesional, mbrojtja dhe përfshirja sociale dhe rinia, ashtu edhe në administrimin e shërbimeve publike.
 
Pjesë e rëndësishme e programit është edhe komponenti edukativ, ku praktikantët do të marrin pjesë në një trajnim një ditor dhe vizita studimore e takime me zyrtarë të shtetit. Pas përfundimit të programit, praktikantët do të pajisen me një certifikatë pjesëmarrjeje dhe do të krijojnë kështu rrjetin e parë të të rinjve që marrin pjesë në këtë program.
 
Vendi i Punës
 
Pjesëmarrësit në programin e internship-it do të caktohen të punojnë në departamente të ndryshme në Ministri ose në Institucione të varësisë, në bazë të nevojave të MMSR-së, dhe duke marrë në konsideratë profilin dhe preferencën e secilit prej kandidatëve. Kandidatët do të kenë mundësi të caktojnë preferencën për institucionin dhe vendin ku duan të punojnë në formularin e aplikimit.  
 
Kohëzgjatja
 
Internship-i fillon me datë 15 Korrik, 2014 dhe përfundon në 31 Gusht, 2014. Gjatë kësaj periudhe, pjesëmarrësit do punojnë me kohë të plotë në përputhje me orarin zyrtar të institucionit në të cilin janë caktuar të punojnë.
 
Kualifikimet
 
Programi është i hapur për të gjithë ata/ato studentë, brenda dhe jashtë vendit, që po vazhdojnë studimet universitare dhe pas universitare ose që janë diplomuar në dy vitet e fundit. Kandidatët duhet të tregojnë interes në punën e sektorit publik dhe të kenë aftësi shumë të mira analitike dhe komunikimi.
 
Proçedura e Aplikimit
 
Të interesuarit mund të aplikojnë duke plotësuar aplikimin online brenda datës 5 Korrik, 2014. Më poshtë lista e dokumenteve që kërkohen për të plotësuar aplikimin.  Applikantët e përzgjedhur për fazën e dytë të aplikimit do të njoftohen për datën e intervistës, jo më vonë se data 9 Korrik, 2014.
 
Formulari Aplikimit
Curriculum Vitae
Letër Motivimi
Letër Rekomandimi