Përfaqësuesit e Bedër vizitë në Bujanoc

Studentët e programit master në Shkenca Komunikimi pranë Kolegjit Universitar Bedër, pedagogë të departamentit, si dhe rektori Prof. Dr. Ferdinand Gjana, ishin të ftuar nderi në Komunën e Bujanocit. Ata u priten nga drejtuesit më të rëndësishëm të pushtetit lokal në këtë trevë ku jetojnë shqiptarët në Republikën e Serbisë.

Kryetari i Komunës, Shaip Kamberi falenderoi studentet të cilët u angazhuan në mbledhjen e mijëra librave artistikë e kulturorë në gjuhën shqipe, duke pasuruar në këtë mënyrë Bibliotekën e Bujanocit. Z. Kamberi tha se ky është një mesazh i fortë për vëllazëri dhe solidaritet mes shqiptarësh.

Ndërkohë, rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana falenderoi drejtuesit e Komunës së Bujanocit për pritjen e ngrohtë. Prof. Gjana i dorëzoi zyrtarisht Z.Kamberi shkresën për 15 bursa të plota që KU Bedër i ofron maturantëve të kësaj komune që do të regjistrohen për vitin e ardhshëm akademik. Ai premtoi se bashkëpunimi me Komunën e Bujanocit do të shtrihet edhe në fusha të tjera, në organizimin e takimeve të përbashkëta edhe në nivel intelektualësh.

Më pas, pedagogë të KU Bedër shpalosën para maturantëve të Bujanocit të gjitha mundësite që ofron institucioni ynë. Ndërsa të rinjtë që aspirojnë të ndjekin studimet e larta në Shqipëri morën përgjigje mbi të gjitha kapacitetet akademike dhe infrastrukturore që ofron Kolegji Universitar Bedër.

Vizita e zhvilluar në Bujanoc ishte e vlefshme për të gjithë studentët që i shërbyen nismës për të mbledhur libra joshkollorë për shqiptarët në Serbi, pasi u njohën më nga afër me bukuritë e trojeve shqiptare dhe mikëpirtjen e shkëlqyer të shqiptarëve në ato zona, me besimin e shprehur se aktivitete të tilla do të jenë edhe më të shpeshta.