Ceremonia e Diplomimit 2019

Kolegji Universitar Bedër diplomoi brezin e gjashtë të studentëve, në një ceremoni të organizuar në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës. Tashmë kur janë mbushur tetë vite që nga themelimi, Bedër nxjerr në tregun e punës rreth 260 specialistë të rinj në fushën e Drejtësisë, Komunikimit, Shkencave Islame, Gjuhës dhe Letërsisë Angleze si dhe në fushën e Edukimit. 
 
Me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve, akademikëve, studentëve dhe qindra të afërmve, ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të rektorit të Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinad Gjana, i cili përgëzoi studentët për suksesin e arritur, duke i inkurajuar ata që të përpiqen vazhdimisht në rrugën e dijes dhe duke përballuar çdo sfidë të jetës. 
 
“Vijmë në këtë ditë, ku gjithësekush do të nisë një universitet të ri. Ai universitet quhet “Universiteti i jetës”. Jeta është një universitet që s’mbaron. Jeta është një universitet me plot sfida, me plot vështirësi, me plot momente të suksesshme, por edhe me deshtime.
 
Dhe ne përgjatë procesit disavjeçar, që përpiqemi të realizojmë si institucion, është që tju përgatisim për këto sfida. Përpjekja për t’ju pajisur jo vetëm në dimensionin akademik, por edhe në dimensionin njerëzor, si dhe në realitetin që një të ri do ta presë, sepse shumë gjëra njeriu i shikon me kalimin e viteve, me kalimin e jetës”, theksoi Prof. Gjana.
 
Në ceremoni mbajtën fjalën edhe Kryetari i KMSH-së Bujar Spahiu si dhe biznesmeni Artan Dulaku të cilët dhanë mesazhe urimi dhe motivimi për studentët duke i përgëzuar për arritjet e tyre.
Gjithashtu, të pranishëm ishin kryetari i Bordit të Fondacionit Hafiz Ali Korca, z. Skënder Brucaj si dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj i cili ndau certifikatat për studentët ekselentë.
 
Studentët me rezultatet më të larta, Kevin Shehu dhe Gentian Grabova mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse në emër të të gjithë studentëve duke u mbështetur tek vlerat që ata gjetën në Bedër. 
 
Gjatë fjalës së tij, Kevin Shehu kujtoi se çfarë e shtyu të studionte në Bedër. “Tre vite më parë ndërsa të gjithë universitetet prezantonin slloganet e tyre "të jesh më i miri", "të jesh i pari", "më i sukseshmi" etj., Kolegji Universitar Bedër tërhoqi vëmendjen time me slloganin “në emër të vlerave”. Kjo më bëri të mendoj se nëse universitetet e tjerë janë për t’i mësuar njerëzve nuhatjen e suksesit personal dhe mirëqenies ekonomike, kuptova se Bedri është një portë ku i mëson brezit të ri të studiojnë dhe të ecin në emër të vlerave.”- shtoi ndër të tjeta Kevin.
 
Ndërkohë studenti Gentian Grabova falënderoi dhe vlerësoi “garantuesit” e vlerave që gjeti në Bedër. “Më lejoni të falënderoj guardianet e kësaj strukture vlerash e parimesh, të ngritur mbi nje bazë të shëndoshe meritokracie, meritokraci qe mbikëqyret me fanatizëm nga hierarkia e Universitetit Bedër, që nga rektorati, udhëheqesit e departamenteve, dekanati e me radhë. Iu bashkangjita komunitetit studentor të Bedër, në emër të vlerave, dhe si nje student qe ua di rëndesine këtyre vlerave nga eksperienca ime e mëparshme në perendim, ju falënderoj nga zemra për ato që ofruat e vazhdoni të ofroni”- tha ai.
Në fund, të gjithë studentët e diplomuar në programet bachelor dhe master u ngjitën në skenë për të hedhur kapelet e diplomimit duke përmbushur me sukses rrugëtimin e tyre në Bedër.
 
Kolegji Universitar Bedër uron të gjithë të diplomuarit suksese në jëtën e tyre post universitare dhe i siguron se do të jetë një mbështetje e përhershmë në rrugën e tyre të jetës.