Kolegji Universitar Bedër diplomon brezin e pestë të studentëve

Kolegji Universitar Bedër diplomoi brezin e pestë të studentëve, në një ceremoni të organizuar mbrëmë në ambientet e Amfiteatrit të Liqenit të Tiranës. Tashmë kur janë mbushur shtatë vite që nga themelimi, Bedër nxjerr në tregun e punës rreth 195 specialistë të rinj në fushën e Drejtësisë, Komunikimit, Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Edukimit, Shkencave Islame, Gjuhës dhe Letërsisë Turke etj.

Nën moderimin e Ilda Xhafës, ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të rektorit të Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinad Gjana, i cili inkurajoni studentët që të përpiqen në rrugën e dijes. “Nëse do të besoni fort në vlerat tuaja, në vlerat tona, ju do t’ia dilni dhe do të keni sukses. Do të shkëlqeni me dritën tuaj të brendshme, duke u bërë burim frymëzimi dhe shprese për këdo rreth jush”, theksoi Prof. Gjana.

Ndërkohë i ftuari i mbrëmjes, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Z. Skënder Bruçaj, gjatë fjalës së tij përshëndetëse shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Kolegjit Universitar Bedër. Ai përgëzoi studentët për mbylljen me sukses të studimeve dhe i motivoi ata për të vazhduar më tej në rrugën e dijes. 

Ceremonia vazhdoi më tej me shpërndarjen e certifikatave për studentët ekselentë. Dudi Ilias u vlerësua si studentja me rezultatet më të larta në programin e drejtësisë; Hysni Kafazi si studenti më i mirë në gjuhë dhe letërsi angleze; Ornela Klosi në shkenca komunikimi; Abdullah Bulku në shkenca islame; Besjana Osmanollaj në arsim parashkollor dhe fillor; Xhuljana Budani në psikologji këshillimi dhe pedagogji; Oltiona Nexhi në gjuhë dhe letërsi turke.

Studentët me rezultatet më të larta, Dudi Ilias dhe Hysni Kafazi mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse në emër të të gjithë studentëve.

Gjatë fjalës së saj, Dudi Ilias falënderoi universitetin për vlerat që i ka përçuar duke e ndihmuar në çdo hap drejt suksesit. “Ajo që bën diferencën është se ky institucion akademik është themeluar në emër të vlerave, dhe po në emër të tyre funksionin dhe janë pikërisht këto vlera ato që shërbejnë si garanci për të pasur sfida të drejta”, shtoi ndër të tjera studentja e drejtësisë, Dudi Ilias.

Ndërsa studenti me arritjet më të larta në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Hysni Kafazi, gjatë fjalës së tij falënderoi Kolegjin Universitar Bedër, duke theksuar se përgjatë këtyre viteve nuk ka përqafuar modelin tipik të mësimdhënies, duke u dhënë hapësirën studentëve të shpalosin dijet tyre. “Kjo shkollë na ka ofruar rrugë të shumta për t’u shprehur dhe për t’u përmirësuar akademikisht, që nga aktivizimi ynë gjatë leksioneve nëpërmjet prezantimeve dhe projekteve të ndryshme, deri në organizimin e konferencave ndërkombëtare të secilit departament, të cilat kanë shërbyer si një platformë aktive e pjesëmarrjes dhe përgatitjes së studentëve në fushën profesionale”, shtoi ndër të tjera.

Në fund, të gjithë studentët e diplomuar në programet bachelor dhe master u ngjitën në skenë për të hedhur kapelet e diplomimit.