“Studenti dhe Profesioni”, e ftuar në Kolegjin Universitar “Bedër” gazetarja Sonila Meço

Në ciklin e diskutimeve “Studenti dhe Profesioni” e ftuara e parë për këtë vit të ri akademik, në Departamentin e Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar “Bedër”, ishte gazetarja e mirënjohur Sonila Meço.

Ajo foli me studentët rreth “të bërit gazetari në kohë të vështira”. Në bisedën e moderuar nga lektorja e Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Valmora Gogo, u diskutua roli i medias në shoqëri, marrëdhënia e medias dhe gazetarëve me pushtetin, vështirësitë që hasin gazetarët ne vendin e punës, modeli ekonomik i medias, hapësirat që kanë krijuar mediat e reja, si edhe rolin që ka audienca në mbarëvajtjen e emisioneve televizive.

“Ditët e sotme gazetaria është e vështirë, sepse ajo është e stigmatizuar. Problem kryesor mbetet marrëdhënia me pushtetin, dhe modeli ekonomik i medias”, tha Meço. 

Më tej ajo konstatoi se “Ka një relativizim të gazetarëve, ata konsiderohen si të këqinj, dhe kjo ka çuar në një krizë besimi në gazetari, pra publiku nuk beson më te gazetarët. Sot gazetaria është në kohërat e kolerës. Në këtë logjikë gazetari duhet të mposhtë frikën, dhe të përdorë fjalën si të vetmin mjet që posedon.”

Diskutimi u përqendrua në hapësirat që ka gazetari në një televizion të rëndësishëm, në vijat të cilat janë të prekshme dhe të paprekshme, si edhe në rëndësinë që ka karakteri në profesionin e gazetarit.

Më tej, diskutimi kaloi në rolin që ka media online ditët e sotme, si ajo ndikon në opinionin publik dhe se si mund të shfrytëzohet kjo hapësirë nga gazetarët dhe nga vetë audienca. Ajo u shpreh që media online krijon mundësi të reja për gazetarët, shmang censurën dhe ndihmon në shpërndarjen e shpejtë të informacionit.

“Media online është një hapësirë ku të gjithë mund të jenë reporterë, të gjithë mund të flasin, të denoncojnë dhe të japin mendimin  e tyre. Kjo hapësirë duhet shfrytëzuar, në të gjitha platformat e saj, sidomos nga gazetarët.”, cilësoi ajo.

Diskutimi kaloi edhe në çështje dhe problematika të tjera që lidhen me gazetarinë në ditët e sotme të tilla si disinformimi, censura, audiencat dhe agjendat mediatike.

Përgjatë takimi studentët patën mundësinë të bënin pyetje dhe të ngrinin çështje për diskutim.

Në fund Sonila Meço përgëzoi studentët për pyetjet që ata bënë dhe i uroi ata, duke i përballur me profesionin sa të vështirë dhe aq të bukur të gazetarit.

Sonila Meço është  gazetare dhe drejtuesja e emisionit "Tempora" në "RTV Ora". Ajo është një gazetare me një përvojë të gjatë në televizionet "Top Channel", "TV Klan", "Vizion+" dhe "Agon Channel".