Albana Muçaj ndan eksperiencën e saj në biznes me studentët e PR-it

Ditën e premte, në ambjentet e Kolegjit Universitar Bedër, studentët e vitit të tretë të programit Marrëdhënie Publike dhe Komunikim Marketingu, në lëndën Strategji Marketingu zhvilluan një seminar të hapur me znj. Albana Mucaj, Kryeredaktore e revistës ‘Business Magazine’ dhe personazh i njohur në fushën e sipërmarrjes si themeluese e ‘Qendrës Multifunksionale Kallz’ dhe revistës ‘Kallzat’.

Biseda me studentët u fokusua në udhëtimin e këtij biznesi që në hapat e tij të parë, sfidat e shumta që ka hasur gjatë këtij rrugëtimi dhe vendimet strategjike që janë marrë për të siguruar mbijetesën në treg ndaj konkurrencës dhe veçanërisht fokusimi tek identifikimi e njohja e kërkesave dhe nevojave të konsumatorëve dydimensionalë, siç i trajtoi Albana si dhe përshtatja e bashkëpunimi i vazhdueshëm me ta që në momentet e para e në vijim për tu siguruar një eksperiencë sa më të kënaqshme.

Gjatë bisedës, Albana iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve duke zbuluar edhe planet e saj për diversifikimin e qendrës në të ardhmen si dhe mori dhe mendimet e propozimet e studentëve në lidhje me forma dhe taktika që përshtaten me interesat e target- grupeve të interesit dhe synojnë angazhimin e tyre.

Si anëtare themeluese e Dhomës Ekonomike të Gruas, Albana ka një rol aktiv në organizimin e Women Startup Competition në Shqipëri, një ngjarje që mbështet dhe promovon sipërmarrjen e vajzave dhe grave. Gjatë seminarit, ajo trajtoi tema si mundësitë për trajnime dhe zhvillimin e start-up-eve, duke u përqëndruar në rritjen dhe mbështetjen e studentëve për tu integruar në tregun e punës dhe me një fokus në nxitjen e sipërmarrjeve femërore.