“Takim mes Brezash- Ata që dinë të bëjnë fushata”

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në bashkëpunim me Zyrën e të Diplomuarve në Kolegjin Universitar “Bedër”, zhvilloi nëpërmjet platformës Google Meet, aktivitetin “Takim mes Brezash- Ata që dinë të bëjnë fushata”.

Në këtë takim ishin të ftuar studentë e diplomuar në programet master, profilet: Gazetari dhe Marrëdhënie Publike në Departamentin e Shkencave të Komunikimit, të cilët janë integruar shumë mirë në tregun e punës, në mediat dhe agjencitë e marketingut më të mëdhatë në vend, si dhe jashtë vendit tonë, si SHBA, Zvicër, etj.

Takimi u zhvillua në kuadër të lëndës “Konceptim dhe menaxhim fushatash”, e cila zhvillohet në studimet e nivelit master nga lektorja Dr. Edlira Mali. Gjatë këtij takimi, të diplomuarit treguan eksperiencat e tyre në këtë lëndë kur ishin studentë. Ata ndanë me njëri- emocionet e përjetuara në secilën fushatë të ndërmarrë në kuadër të kësaj lënde, si dhe folën për rëndësinë dhe vlerën e saj kur përballesh me tregun.

Gjatë bisedave ndërmjet tyre, studentët ranë dakord që secila fushatë fillon në kuadër të një lënde dhe më tej shndërrohet në një sfidë e emocion dhe merr përmasa kombëtare.

Përgjatë takimit u diskutuan fushatat: "Libri është i vetmi Kopsht që Mbillet për të Tjerët"; “Një fije floku për më shumë buzëqeshje”; “Unë refuzoj të hesht. Bëje dhe ti, voto!”; “Një shtëpi, një mburojë për trashëgiminë kulturore”; “Një libër më shumë për Preshevën”; “Ruaj Traditën, Festo Shqip!”; “Njih tokën tënde, vizito Shqipërinë!” si dhe për fushatën e këtij viti e cila po fillon.

Kujtojmë që këto fushata të zhvilluara kanë marrë përmasa kombëtare dhe kanë bërë bashkë personalitetet më të mëdha të kulturës, artit, muzikës, politikës, për të arritur qëllimet e fushatave për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave morale dhe kombëtare.