Rreth programit
Programi “Bachelor në gazetari dhe komunikim multimedial”, është konceptuar që t’u ofrojë studentëve njohuri në dy drejtime kryesore, gazetari dhe komunikim multimedial. Kurrrikula e riorganizuar synon të aftësoje studentët që do të angazhohen në fushën e medias, në prodhimin dhe përpunimin e përmbajtjave të vlefshme për një mjedis transmedial. Transmedia apo platformat multimediale janë një realitet i gjithëpranishëm. Kjo bën të nevojshme përgatitjen e profesionistëve me njohuri të plota akademike, që i përgjigjen këtij realiteti të ri.
Në kurrikulën e prgramit i është dhënë një rëndësi e veçantë njohurive që ndihmojnë profesionistët e medias, t’i bëjnë ballë fenomeneve gjithnjë e më prezente siç janë, lajmet e rreme, teoritë konspirative, dhe format e tjera të çrregullimit informativ. Parimi bazë që reflekton kurrikula është koherenca e dijeve dhe njohurive të marra përgjatë gjithë ciklit të studimeve. Studentët kalojnë përmes semestrave që zgjerojnë në një mënyrë progresieve njohuritë e tyre dhe i pajisin me kompetencat e duhura për të rritur shanset e tyre në integrimin sa më të shpejtë në tregun e punës. Viti i parë i programit mësimor përfshin lëndë të formimit bazë dhe prezantimin e studentëve me konceptet bazë të komunikimit dhe të gazetarisë. Në këtë vit, studentët marrin njohuri mbi gjuhën, njohuri mbi marrëdhënien mes medias dhe shoqërisë, si dhe konceptet bazë të shkrimit dhe raportimit të lajmit. Në vitin e dytë, kurrikula i prezanton studentët me lëndë karakterizuese të disiplinës së komunikimit dhe gazetarisë. Ndërkohë që njohuritë e marra në vitin e parë, zgjerohen duke u ofruar studentëve edhe njohuri praktike mbi komunikimin multimedial. Në këtë vit studentët bëhen pjesë e dy laboratorëve të dedikuar për disiplinën. Po ashtu, në këtë vit, parashikohet përfshirja për herë të parë e lëndëve me zgjedhje. Në vitin e tretë, krahas detyrimeve përmbyllëse dhe formimit metodologjik, kurrikula parashikon lëndë që ofrojnë njohuri mbi etikën dhe legjislacionin, zhanret e reja të gazetarisë, si dhe edukimin e audiencave.
Programi i studimeve "Bachelor në gazetari dhe komunikim multimedial” realizohet me 180 ECTS, në përputhje me planin mësimor të propozuar nga Departamenti i shkencave të komunikimit.
Të gjithë ata që përfundojnë me sukses studimet e ciklit të parë në programin “Bachelor në gazetari dhe komunikim”, pajisen me diplomë: “Bachelor në gazetari dhe komunikim multimedial”.
Misioni
Misioni i departamentit të Shkencave të Komunikimit në programin “Bachelor në gazetari dhe komunikim multimedial” është përgatitja e profesionistëve të kualifikuar në fushën e gazetarisë dhe komunikimit multimedial, të aftë të përdorin në mënyrë efektive metodat dhe mjetet teknologjike, të cilët njohin dhe respektojnë normat deontologjike dhe etike të profesionit, me qëllim ndërtimin e marrëdhënieve të besueshme me audiencat dhe kontribuimin në zhvillimin e një shoqërie të mirëinformuar dhe demokratike.
Vizioni
Departamenti i Shkencave të Komunikimit, përmes programit “Bachelor në gazetari dhe komunikim multimedial” do të sjellë risi në mënyrën e aftësimit dhe të përgatitjes së studentëve nëpërmjet një gërshetimi të mirëorganizuar të anës teorike me praktikën në kushte dhe mundësi fizike bashkëkohore. Departamenti, përmes programit “Bachelor në gazetari dhe komunikim multimedial” dhe kërkimit shkencor do të përgatisë profesionistë të aftë për tregun e punës në kushtet e një shoqërie globale dhe zhvillimi të shpejtë të teknologjive moderne që kanë përfshirë fushën e gazetarisë, medias dhe komunikimit.
Objektivat dhe kompetencat profesionale të Programit
Duke paraqitur para studentëve programe të kompletuara për të gjitha njohuritë e nevojshme për një përgatitje sa më të plotë profesionale në fushën e gazetarisë, medias dhe komunikimit, departamenti qëndron fort në misionin e tij për të përgatitur profesionistë të aftë në respektimin e deontologjisë dhe etikës profesionale, në analizën e thelluar e shkencore të fakteve dhe të situatave të ndryshme, e cila synojmë që të arrihet edhe nëpërmjet përfitimit nga ana e studentëve të një kulture të gjerë pluraliste, bashkëkohore mbi mënyrën e mendimit dhe konceptimit të situatave dhe ngjarjeve.
Përmes një kurrikule të bazuar dhe të mbështetur në traditën e disa universiteteve me zë në këtë fushë, programi “Bachelor në gazetari dhe komunikim multimedial” ka si objektiva:
- Përgatitjen e kuadrove të aftë dhe të pajisur me njohuritë bashkëkohore në fushën e gazetarisë dhe komunikimit multimedial;
- Aftësimin e studentëve që në përfundim të programit të njohin dhe përdorin në mënyrë efektive të gjitha platformat e teknologjisë së medias.
- Integrimin e studentëve në tregun e punës menjëherë pas diplomimit të tyre, si dhe demostromin e aftësive të larta profesionale
- Familjarizimi i studentëve me zhvillimet dhe e industrisë së media dhe komunikimit
- Përvetësimi i aftësive për të vjelë, analizuar dhe më pas raportimin multimedial të informacionit;
- Njohja me çështje të etikës në raportim dhe çështjeve që kanë të bëjnë me median dhe shkencat e komunikimit;
- Integrimi i teorisë dhe praktikës në mënyrë që studentët të përjetojnë aspekte që lidhen me fushën e studimit;
- Krijimi i kushteve për formim të mirëfilltë profesional për studentët duke ofruar një ambient të përshtatshëm;
- Rritja e njohurive në përdorimin e teknologjisë në shërbim të sigurimit dhe shpërndarjes së informacionit;
- Të kuptojnë nevojën dhe nxitjen e një komunikimi të vazhdueshëm ndërkulturor.
Rezultatet e Programit
Në përfundim të programit “Bachelor në gazetari dhe komunikim multimedial”, studentët do të jenë në gjendje të:
- njohin, krahasojnë dhe interpretojnë konceptet bazë të gazetarisë dhe komunikimit multimedial
- njohin konceptet themelore me të cilat operohet në fushën e multimedias
- kuptojnë, zhvillojnë dhe aplikojnë njohuritë e marra në fushën e medias dhe gazetarisë
- kuptojnë dhe analizojnë ndikimin e shoqërisë tek media dhe ndikimin e medias tek individët dhe shoqëria,
- zhvillojnë aftësinë për të komunikuar me efektivitet si dhe aftësohen për të folurën në publik, përballë audiencave të përgjithshme dhe audiencave të specializuara në fushën e komunikimit dhe medias,
- zhvillojnë aftësinë për të ndërvepruar me efektivitet në grup për të përmbushur një synim të përbashkët,
- demonstrojnë aftësi në përkufizimin dhe krahasimin e disiplinave dhe fushave të tjerë të studimit që ndërveprojnë me komunikimin multimedia dhe gazetarinë,
- zbatojnë, aplikojmë dhe adaptojnë njohuritë teorike dhe praktike të marra rreth fushës së gazetarisë dhe multimedias
- modifikojnë produktet multimediale të tilla si foto, video, animacione, postera, audio, dhe produkte transmediale,
- zhvillojnë dhe implementojnë mendimin kritik dhe analizën në vlerësimin e përmbajtjes së mediave,
- eksplorojnë dhe aplikojnë komunikimin dhe marrëdhënien me audiencat në platformat dhe mediat e reja,
- dallojnë diferencat e mediave tradicionale dhe mediave të reja të bazuara në teknologjinë digjitale,
- përshkruajnë, krahasojnë dhe analizojnë zhanret e ndryshme të gazetarisë dhe medias,
- analizojnë diferencat e mediumeve të ndryshme, formave të përmbajtjes dhe marrëdhënies së tyre me audiencat dhe përdoruesit,
- demonstrojnë njohuri dhe vlerësojnë rëndësinë që mbart informacioni në formimin e opinionit publik dhe vendimmarrjen,
- analizojnë qasjet teorike dhe praktike në fushën edukimit mediatik dhe aplikojnë plane në rritjen e shkallës njohurive të kategoritë e ndryshme të audiencës,
- krahasojnë, analizojnë, klasifikojnë dhe diferencojnë, llojet e produkteve multimediale, cilësinë dhe formatet e produkteve mulimediale të gjindshme në media dhe platforma të ndryshme,
- demonstrojnë aftësi në konceptet gjuhësore dhe aplikojnë rregullat e duhura në shkrimin e lajmit dhe formave të tjera të përmbajtjes në platformat multimediale,
- përvetësojnë njohuritë e nevojshme të hulumtimit dhe t’i aplikojnë ato në fushën e komunikimit multimedial, medias dhe gazetarisë.
Mundësitë e punësimit
- Të diplomuarit, pasi të diplomohen, mund të punësohen në institucione mediatike publike e private si gazetarë të medias së shkruar e vizive, përfshirë këtu të gjithë platformat multimediale;
- Të diplomuarit mund të punojnë si korrespondentë në Shqipëri, dhe jo vetëm, të agjencive të huaja të lajmeve, por edhe të rrjeteve ndërkombëtare mediatike;
- Të diplomuarit mund të punojnë në zyrat e komunikimit të institucioneve publike apo private, organizata të ndryshme vendase apo të huaja, etj..
- Të diplomuarit mund të punojnë në organizata, shoqata vendase dhe të huaja, të cilat operojnë në fushën e edukimit/komunikimit, të shërbimeve e të edukatës qytetare, si operatorë kuratorë të marrëdhënieve ndërkombëtare, në administratën publike e private etj;
- Të diplomuarit mund të punojnë në organet drejtuese të agjencive dhe institucioneve që janë pjesë e fushës së komunikimit;
- Të diplomuarit mund të punojnë në subjekte politike, në zyrat e shtypit dhe të informimit, në zyrat e marrëdhënieve me publikun, në institucione lokale dhe multinacionale.
- Të diplomuarit nga ky program mund të punojnë në agjenci të ndryshme reklamash, mediatike, marrëdhëniesh publike, apo që ofrojnë konsulencë komunikimi;
- Të diplomuarit mund të punojnë si specialistë të marrëdhënieve publike apo komunikimit në marketing në institucione private apo publike, organizata vendase e të huaja, etj.;
- Të diplomuarit nga ky program mund të ushtrojnë profesionin e tyre si ekspertë të komunikimit multimedial, në mënyrë të pavarur (freelancer);
- Të diplomuarit mund të ushtrojnë profesionin e reporterit në mënyrë të pavarur (freelancer);
- Të diplomuarit nga ky program mund të punojnë si ekspertë të mediave dixhitale;
- Të diplomuarit mund të punojnë si konsulentë mediatikë për institucione dhe organizata të ndryshme;
- Të diplomuarit mund të punojnë si dizajner multimedialë në organizata mediatike, agjenci marketingu dhe institucione publike ose private.