“Zhvillimi i Brandit Personal” me Jori Vila
Në kuadër të serisë së seminareve MarCom, Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar Bedër zhvilloi ditën e mërkurë seminarin e hapur me temë "Zhvillimi i Brandit Personal", me të ftuar Jori Vila, specialiste marketingu e cila njëkohësisht është dhe drejtuese e agjencisë OZ Marketing.
Gjatë seminarit u trajtua rëndësia që ka krijimi i një marke cilësore dhe në fokus të diskutimeve u vendos vetë individi, i cili bën të mundur angazhimin e tij përmes emrit, reputacionit dhe individualitetit të tij.
Një hapësirë të rëndësishme ju dha trajtimit të hapave që ndiqen për të patur një model të përshtatshëm të kopertinës personale, ku Jori Vila vuri theksin te pesha që zë një profil i personalizuar në burimet njerëzore dhe jo vetëm.
Gjatë diskutimeve, u theksua impakti i padiskutueshëm i marketingut digjital në zhvillimin e brandit personal, u shtruan pyetje lidhur me fenomenin e blerjes së ndjekësve, një formë e dëmshme që, sipas Vilës, dëmton algoritmin me të cilin veprojnë mediat sociale duke mos lejuar arritjen e rezultateve të synuara.
Nëpërmjet lojërave interaktive, studentët sollën shembuj konkretë dhe treguan se si e shohin thelbin e brandit të tyre personal nëpërmjet vetëvlerësimit të karakterit, vlerave dhe aftësive kryesore personale.
Në mbyllje, Jori Vila u shpjegoi studentëve marrëdhënien që duhet të kenë me mediat sociale duke i trajtuar sipas karakteristikave dhe audiencave përkatëse dhe i këshilloi që të tregojnë kujdes të veçantë në mënyrë që kopertina e tyre profesioanle të jetë autentike dhe të ruajë origjinalitetin e saj.