Takimi i projektit INDCOR (Interactive Narrative Design for Complexity Representations)

Takimi i rradhës i projektit INDCOR (Interactive Narrative Design for Complexity Representations) u zhvillua në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”, gjatë datave 14-16 qershor. Projekti synon ndërtimin e një rrjeti për studimin ndërdisiplinor të narrativës digjitale.
Pjesëmarrësit u mirëpritën nga Dr. Erlis Çela, përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, i cili është njëkohësisht pjesë e projektit dhe anëtar në Bordin Drejtues të COST action.
Në ditën e parë të takimit, kërkuesit shkencorë u përshëndetën nga rektori, prof. Gjergj Sinani, i cili ndau me ta një prezantim të shkurtër rreth vizionit dhe strategjisë së ndërkombëtarizimit të KUB. Më tej, zv. rektori, Dr. Isa Erbas bëri një prezantim me temë “Sistemi Arsimor Shqiptar dhe Integrimi i Teknologjisë në Auditore”, i cili nxiti pyetje dhe diskutime midis të pranishmëve.
Gjatë seancave të organizuara, anëtarët diskutuan rreth ecurisë së punës dhe thelluan kërkimet e tyre për finalizimin e punimeve shkencore, që po përgatisin në kuadër të projektit.
Gjithashtu, grupi i kërkuesve shkencorë zhvilluan edhe një vizitë në televizionin A2 CNN, ku u pritën nga kryeredaktori i lajmeve z. Elert Yzeiri. Ai diskutoi me profesorët rreth aplikimit të narrativës digjitale në mediat shqiptare duke iu referuar konkretisht praktikës së punës në televizonin ku punon.
Anëtarët e projektit zhvilluan edhe vizita në muzeun “Bunk’Art” dhe “Shtëpia e Gjetheve”, ku u njohën nga afër me historinë e Shqipërisë gjatë periudhës së diktaturës dhe me pasojat e regjimit komunist te qytetarët. Profesorët ndanë me njëri-tjetrin eksperienca nga vendet e tyre dhe regjimet përkatëse duke i krahasuar me qasjen e komunizmit në Shqipëri.
Larmishmëria e origjinës së kërkuesve shkencorë nga Portugalia, Spanja, Gjermania, Hungaria, Kosova, Hollanda, Norvegjia, Sueida, Italia, Austria dhe Lituania mundësuan interaktivitet të lartë dhe shkëmbim eksperiencash të jashtëzakonshme.
Projekti INCDOR është ideuar në kuadër të COST action. Bashkëpunimi Eropian në Shkencë dhe Teknologji (COST) është organizatë financuese për ndërtimin e rrjeteve kërkimore, të quajtura COST Actions. Këto rrjete ofrojnë mundësi për bashkëpunim midis kërkuesve shkencorë në të gjithë Evropën duke i dhënë shtysë përparimeve dhe inovacionit në punën kërkimore.