Instituti Shqiptar i Medias zhvilloi dy ditë rradhazi trajnimin për edukimin mbi median dhe informacionin me studentët e Kolegjit Universitar Bedër.
Trajnimi filloi me prezantimin e trajnerit Erlis Çela, i cili është edhe përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Bedër. Dr. Çela u ndal te rëndësia që ka edukimi për median dhe informacionin për të rinjtë në epokën dixhitale. Më tej, ai prezantoi disa teknika për identifikimin e lajmeve të rreme, përmbajtjeve të manipuluara, etj.
Trajnimi vazhdoi me profesorin e gazetarisë, Rrapo Zguri, i cili diskutoi me studentët rreth kontekstit të peizazhit mediatik dhe rrethanave, që e kanë theksuar nevojën për edukimin rreth medias dhe informacionit te qytetarët.
Ditën e dytë, trajnimi filloi me redaktorin Emirjon Senja, i cili është edhe lektor në KU – Bedër. Ai u prezantoi studentëve metoda praktike për verifikimin e çrregullimeve informative dhe trajtoi disa raste studimore lidhur me dezinformimin dhe manipulimin, që ndodh në hapësirën e rrjeteve sociale.
Trajneri tjetër ishte gazetari dhe eksperti i komunikimit, Lutfi Dervishi, i cili u shpjegoi me detaje studentëve kontekstin global për median dhe informacionin dhe u shpjegoi arsyet thelbësore pse duhet të jenë kritikë ndaj informacionit dhe të verifikojnë burimet e dyshimta.