Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar Bedër, në kuadrin e lëndës Menaxhimi i Markave drejtuar nga pedagogia Edlira Mali, për të realizuar leksionin “Pronësia Intelektuale dhe Industriale” kishte të ftuar përfaqësuesen e Drejtorisë së Markave dhe Patentave znj. Galinija Xharja Gjoni.
Fokusi kryesor gjatë leksionit iu dha rëndësisë që ka kuadri regullator i mbrojtjes së pronësisë intelektuale dhe industriale, regjistrimit të patentave, markave, shpikjeve, mbrojtja e të drejtave te autorit duke specifikuar mbrojtjen juridike për të drejtat e krijuesve, shpikësve dhe sipërmarrësve si një element i rëndësishëm për të ndihmuar konkurrencën e ndershme në treg.
Znj. Gjoni theksoi faktin se me regjistrimin e një objekti të industrisë intelektuale dhe industriale fitohet e drejta ekskluzive e përdorimit dhe mbrojtja nga kopjimet dhe keqtrajtimet e mundshme. Idetë dhe mendimet kanë nevojë të mbrohen dhe autori i tyre siguron përfitime ekonomike dhe morale, të cilat i takojnë. Që të quhet shpikje duhet të jetë risi dhe duhet të gjejë zbatueshmëri në industri apo bujqësi. Gjithashtu u fol për markat dhe mbrojtjen e tyre duke i dhënë prioritet origjinalitetit dhe risive.
Në këtë kuadër studentët diskutuan dhe u njohën me rastet e refuzimeve të regjistrimit të markave, shembuj të produkteve shqipëtare dhe të huaja të regjistruara, afati kohor që iu jepet markave dhe patentave për tu mbrojtur në hapësirën profesionale, përfitimet sfidat dhe vështirësitë që hasen në këtë fushë.
Ky leksion ishte një bashkëbisedim ku nuk munguan pyetjet si dhe kurioziteti që studentët shfaqën kundrejt kësaj teme me të cilën “do të përballen” në të jetën e tyre profesionale.