Përgjegjësi i departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Erlis Çela mori pjesë në një vizitë studimore rreth edukimit për median dhe informacionin në Slloveni. Në vizitën e zhvilluar në datat 4 dhe 5 dhjetor morën pjesë përfaqësues nga 11 fakultete, pjesë të projektit “Edukimi për median dhe informacionin për mësuesit e ardhshëm,” mbështetur nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe implementuar nga Instituti Shqiptar i Medias.
Dr. Çela përfaqësonte Kolegjin Universitar “Bedër” si pjese e grupit të institucioneve të arsimit të lartë, partnere në zbatimin e këtij projekti.
Gjatë vizitës, pjesëmarrësit morën pjesë në disa workshop-e dhe takime në Universitetin e Lubjanës, ku shkëmbyen eksperiencat rreth edukimit mediatik dhe analizuan studimet e fundit në këtë fushë.
Kjo vizitë ishte një mundësi që pjesëmarrësit të shkëmbenin përvoja rreth qasjes së arsimit formal për edukimin mediatik, por edhe një mënyrë për t’u njohur me nisma jashtëshkollore që përqendrohen në nxitjen e mendimit kritik dhe edukimit për informacionin.
Dr. Çela është angazhuar si trajner i edukimit mediatik përgjatë zbatimit të gjithë projektit “Edukimi për median dhe informacionin për mësuesit e ardhshëm”.