Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi sot Konferencën e VIII-të Studentore në Shkenca Komunikimi me temë “Mundësitë dhe sfidat e komunikimit në epokën e digjitalizimit”.
Hapja u bë nga kryetari i Konferencës, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Dr. Erlis Çela, i cili nxiti përfshirjen e vazhdueshme të studentëve në kërkimin shkencor.
Konferencën e përshëndeti edhe dekani i fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, i cili përgëzoi studentët për punimet e tyre.
Pjesë e ceremonisë hapëse ishte gazetari dhe eksperti i komunikimit, z. Lutfi Dervishi, i cili analizoi aspektet pozitive dhe negative të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në fushën e komunikimit.
Pjesë e panelit ishte edhe drejtori i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, z. Roden Hoxha, i cili u ndal gjerësisht te rëndësia e përfshirjes së studentëve në krijimin e përmbajtjeve cilësore.
Gjithashtu, i ftuar në ceremoninë e hapjes ishte drejtori i Citizens Channel, Lorin Kadiu. Ai u shpjegoi studentëve sesi mund të ndërthurin njohuritë teorike me qasjet praktike në tregun mediatik duke e ilustruar me shembullin e themelit të Citizens Channel.