Bedër çel vitin akademik 2019-2020

Kolegji Universitar Bedër nisi sot vitin e ri akademik 2019-2020. Në ceremoninë e organizuar në ambientet e KU Bedër ishin të pranishëm studentë, prindër, stafi akademik dhe administrativ, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Fjalën e hapjes e mbajti Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili theksoi përpjekjet e institucionit për të krijuar një ambient që u vjen në ndihmë studentëve për t’u formuar profesionalisht, si dhe për të bërë zgjedhjet e duhura në jetë. “Mesazhi im për ju në këtë fillim të vitit të ri akademik është që të punonin fort, jo vetëm për të kaluar një provim, por sepse dija është forcë. Ajo do të jetë arma juaj më e fortë që do t’ju shoqërojë përgjatë gjithë jetës”, theksoi ndër të tjera Prof. Gjana.

Më pas fjalën e mori Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, i cili theksoi se ajo që e dallon Kolegjin Universitar Bedër janë vlerat. “KU Bedër e ka treguar prej vitesh tashmë që misioni i tij nuk është vetëm ti pajisë studentët me diploma, por të nxjerrë në treg profesionistë të aftë me moral dhe vlera njerëzore që do të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë të shoqërisë sonë. Prandaj, këto 3 vite që do të kaloni në këtë institucion shfrytëzojini më së miri për të ndërtuar themele të forta për të ardhmen tuaj”, tha z. Spahiu.

Në këtë ceremoni studentëve u uruan suksese dekania e Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Tidita Abdurrahmani, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, zv/Rektori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Dr. William K. Martin. Ata shprehën gatishmërinë e të gjithë stafit për të ndihmuar studentët në këtë rrugëtim të rëndësishëm.

Në emër të studentëve përshëndetën Desara Kuka, studente e vitit të tretë në Gjuhë dhe Letërsi Angleze, si dhe Eldo Nexha, student i vitit të dytë në Shkenca Komunikimi. Ndërkohë, në emër të të diplomuarve përshëndeti Ermal Mema, i diplomuar në vitin 2014 për drejtësi.