Promovohet romani “Ngjyrat e Viteve” i shkrimtares Sonila Strakosha

Në ambientet e Kolegjit Universitar Bedër u promovua romani “𝐍𝐠𝐣𝐲𝐫𝐚𝐭 𝐞 𝐕𝐢𝐭𝐞𝐯𝐞” i shkrimtares Sonila Strakosha. 

Shkrimtarja Sonila Strakosha bëri një prezantim të librit duke përcjellë tek pjesëmarrësit ndjesitë dhe përjetimet e saj gjatë kohës kur ka shkruajtur romanin. Gjithashtu gjatë bisedës u diskutua mbi artin e të shkruarit dhe rëndësinë e leximit dhe rolin që ka letërsia në ndërtimin e kujtesës dhe imagjinatës.

Gjatë prezantimit të librit lektorja e gjuhës dhe letërsisë angleze Dr. Edona Llukaçaj, lektorja e shkencave të komunikimit Dr. Brikena Smajli si dhe profesorë dhe studentë të gjuhës dhe letërsisë angleze dhe të shkencave të komunikimit ndanë përshtypjet dhe mendimet e tyre mbi romanin. Romani “Ngjyrat e Viteve”, është një imazh i pangjyrë i Tiranës së viteve '80 dhe një adoleshente që rend rrugëve të heshtura me dëshirën për të zbuluar botën e ndaluar nëpërmjet ekranit të vogël, dhe ai veshur me zbehtësinë bardhë e zi të kohës.

Ngjyrimet e imagjinatës do ta ndihmojnë Artën adoleshente të ëndërrojë përgjatë errësirës së turbullt të një periudhe të vështirë. Vitet ndërkohë kalojnë dhe Arta do ndjekë rrugën e vet. Por realiteti i përtej ekranit nuk është me aq ngjyra sa ajo e kishte imagjinuar. 

Ky roman i ri i Sonila Strakoshës ndërton një urë mes dy periudhash në vend, mes dy realitetesh, dy gjuhësh, traditash e zakonesh të ndryshme. Por gjithçka duket se ravijëzohet me gri, në të gjithë nuancat e saj.

Sonila Strakosha u diplomua për Gjuhë-Letërsi  në Universitetin e Tiranës. Ajo punoi për disa vite si mësuese e gjuhës shqipe dhe më vonë, u largua në Itali ku jetoi dhe punoi për rreth dy dekada. Është autore e disa romaneve, botuar në Shqipëri e Itali, përfshi “Corinne”, ku preket tematika e dhunës kundër gruas, dhe “Jashtë Humnerës” ku fokusi janë përpjekjet e një gruaje në kërkim të vetvetes, përtej vështirësive e dhimbjeve me të cilat jeta e përballë.

Ajo është fituese e disa çmimeve në konkurse letrare organizuar në Itali dhe pjesë e antologjive letrare në vendin fqinj.