Studentët e vitit të tretë të programit Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim Marketingu zhvilluan një vizitë tek “Agna Goup” në kuadër të lëndëve Menaxhimi i Markës dhe Strategji Kreativiteti. Studentët u shoqëruan nga pedagoget përkatëse Edlira Mali dhe Suela Bendaj dhe koordinatorja e programit Fatjeta Resulmemaj.
Në vizitën e tyre në kompani, e cila është kthyer tashmë në traditë, për të konkretizuar në praktikë dijet që marrin gjatë procesit akademik, studentët u pritën nga drejtoresha e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun znj. Alma Bici, e cila foli mbi rëndësinë që Agna Group i kushton secilës prej markave me të cilat punojnë duke u nisur gjithmonë nga analiza e tregut dhe komunikimi i vazhdueshlm me konsumatorit, duke marrë atje informacionin parësor në lidhje me mënyrën se si duhet të mirëmbahen dhe përforcohen markat përkatëse për të ruajtur dhe forcuar pozicionimin e tyre në treg duke dhuruar eksperinca mbresëlënëse për të gjitha palët e interesuara. Takimi u zhvillua në formë interaktive me aktivizimin e të gjithë pjesëmarrësve.
Më tej, studentët bashkëbiseduan edhe me brand manaxheret e markave Jerina Vatnikaj dhe Mirela Halili duke diskutuar rreth specifikave të markave që ato menaxhojnë, për strategjitë e komunikimit dhe marketingut digjital gjithmonë në përmirësim për të qenë sa më pranë preferencave dhe kërkesave të konsumatorëve. Ato ndanë me studentet dhe eksperiencat e tyre gjatë punës disa vjeçare në këtë kompani.
Kjo eksperiencë u përmbyll me një vizitë në ambjente të ndryshme të kompanisë dhe biseda shumë të këndshme dhe të frytshme me përfaqësues dhe punonjës të ndryshëm të kompanisë.
Falenderojmë Agna Group për bashkëpunimin e vazhdueshëm në vite, mikpritjen dhe bashkëbisedimin që zhvilluan me studentët, duke i ndihmuar ata që të marrin përgjigjet e të gjitha pyetjeve që kishin dhe duke i ndihmuar që të qartësojnë edhe idetë e tyre për karrierën në të ardhmen.