Në kuadër të serisë të seminareve MarCom, ditën e Mërkurë, Deparmenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar Bedër ka mirëpritur CEO-n e kompanisë Aladini.al dhe njëkohësisht Kryetar i Bordit Ekzekutiv të AECA, Valer Pinderi si i ftuar për të trajtuar temën “Fuqia që studentët kanë sot.”
Z.Pinderi, një personazh i njohur dhe lider i afirmuar në fushën e sipërmarrjes, marketingut digjital dhe sidomos në industrinë e-commerce, zhvilloi një bashkëbisedim frymëzues me studentët e Shkencave të Komunikimit.
Gjatë këtij seminari, CEO i Aladini.al ka theksuar rëndësinë e fuqisë dhe potencialit që studentët kanë në formësimin e të ardhmes së tyre duke e parë këtë ngushtësisht të lidhur me Marketingun Digjital dhe mundësitë e shumta që ky i fundit ofron për të rinjtë sot. Ai i ka inkurajuar ata të mos hezitojnë të shfrytëzojnë aftësitë e tyre për të realizuar synimet profesionale dhe të ndikojnë në fushën që kanë zgjedhur.
Një pjesë e veçantë e prezantimit ishte përqendrimi mbi marketingun digjital. Z. Pinderi ka shpjeguar se si ky burim i pavdekshëm i strategjive online ofron mundësi të shumta për zhvillimin e sipërmarrjes, biznesit dhe rritjen e ndikimit tek të tjerët.
Gjatë pyetjeve dhe diskutimeve interaktive, studentët patën mundësinë të mësojnë nga përvoja e tij jetësore dhe të marrin frymëzim për të eksploruar dhe krijuar inovacione në këtë fushë të shpejtë zhvilluese.
Prezantimi i CEO-së i ka sensibilizuar studentët për sfidat dhe mundësitë e tregut të punës në kohën e sotme. Ata janë inkurajuar të ndjekin pasionin e tyre, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të ndërtojnë rrugën drejt suksesit në karrierën e tyre të zgjedhur duke këmbëngulur tek fokusi si një armë shumë ndihmuese për thjeshtësimin e rrugëtimit dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi që krijohet duke i parë sfidat si mundësi zhvillimi.