Konferenca dhe Workshop-e

 

13 Qershor 2018                                                                                                                                              Konferenca e Katërt Studentore në Shkenca Komunikimi  

Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë K.U. Bedër zhvilloi për të katërtin vit radhazi konferencën studentore me temë: “Komunikimi në Epokën Dixhitale: Gazetaria, Marrëdhëniet me Publikun dhe Komunikimi Politik.” Në konferencë morën pjesë studentë nga Kolegji Universitar Bedër dhe Universiteti i Tiranës, të cilët paraqitën punimet e tyre. Konferenca mundësoi një platformë diskutimi rreth ndikimit të medias dixhitale në formësimin e politikës, komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun. Nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave, studentët kishin mundësinë që të njihen me zhvillimet më të fundit në këtë fushë, me sfidat dhe përparësitë që ka ndikimi i mediave dixhitale në procesin e komunikimit.

Ndër temat që u trajtuan në sesionet përbërëse të konferencës përmendim: Sa ndikojne mediat sociale ne emisionet televizive?, Raporti midis skriptualitetit dhe vizualitetit në median online, Titulli në raport me përmbajtjen e lajmit në portalet online, Etika e imazhit në edicionet informative, Misioni dhe problematika e gazetarisë investigative në Shqipëri, Rëndësia e marrëdhënieve me publikun në organizatat shqiptare, Problematikat e portaleve informative si pjesë e medias online në Shqipëri, Sfidat dhe përparësitë e komunikimit politik në median online,  Ndikimi i raportimeve sportive në ndjenjën e patriotizmit, Menaxhimi i burimeve të informacionit në gazetarinë politike, Teknikat dhe metodat për përmirësimin e kanaleve të komunikimit në administratën publike si dhe shumë tema të tjera aktuale që prekin aspekte të ndryshme të medias dhe komunikimit në epokën e teknologjisë moderne.

Në fund të konferencës studentore u shpërndanë certifikatat për pjesëmarrësit, si dhe iu dha çmimi për punimin më të mirë studentit Alban Tufa, për temën: “Propaganda e përçuar përmes poezisë në revistat ("Bota e re", "Literatura jonë", "Letërsia jonë" dhe "Nëndori") organe të ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve gjatë viteve 1945-1955”.


16 Maj 2018                                                                                                                                                                 Fake News, Problem i Medias apo i Demokracisë? 

Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar "Bedër" organizoi workshopin me temë: "Fake News, problem i medias apo i demokracisë?"

Në këtë workshop morën pjesë Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Bernd Borchardt, Rektori i K.U. Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Shefi i Departamentit të Komunikimit pranë K.U. Bedër, Dr. Erlis Çela, Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Prof.Assoc.Dr. Mark Marku, Analisti dhe gazetari i njohur Lutfi Dervishi, Kryetari i Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa, drejtues dhe studiues së medias, përfaqësues së zyrave të PR-it, si Fatos Hakorja, Roland Zili, Roland Qafoku, Pandi Gjata, Llazar Semini, Elda Gjoka, Eva Kushova, Dr. Ramadan Çipuri si dhe pedagogë dhe studentë të komunikimit dhe gazetarisë.

Gjatë aktivitetit diskutuan dhe debatuan një numër i konsiderueshëm nga pjesëmarrësit të cilët theksuan rëndësinë e organizimit të tryezave të tilla për të trajtuar një fenomen që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të medias dhe audiencës, pasi diskutohet rreth mënyrave të zhvillimit të shëndetshëm të fjalës së lirë, duke u nisur edhe nga roli kritik që profesionistët e fushës së medias kanë, më tej diskutuesit ndalën në rrezikun që paraqet “fake news”, në nevojën e rishikimit të parimeve të gazetarisë dhe duke theksuar se zgjidhja duhet të kërkohet në edukimin mediatik të audiencave, kontrollin e burimeve të lajmit përpara publikimit, si dhe një rikthim te vlerat deontologjike dhe profesionale të gazetarisë dhe më shumë liri për median.


7 Janar 2018                                                                                                                                                   Marrëdhënia e Medias me Audiencat në Epokën Digjitale 

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar "Bedër" organizoi workshop-in me temë "Marrëdhënia e Medias me Audiencat në Epokën Digjitale". Për të diskutuar në panel morën pjesë Monika Stafa, Kryetare e Këshillit të Ankesave në AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive); Thanas Goga, ekspert i matjes së audiencave dhe profesor në Universitetin e Tiranës; Aleksandër Çipa, Kryetari i Unionit të Gazetarëve; Dr. Erlis Çela, përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër; Dr. Edlira Mali, lektore pranë të njëjtit departament, si dhe Doc. Dr. Ramadan Çipuri, lektor në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës.

Gjatë workshop-it panelistët diskutuan në lidhje me audiencat në epokën dixhitale, ndërtimin e një tregu mediatik, etikën dhe deontologjinë e mediave në Shqipëri si dhe për sfidat e gazetarit përballë multimedialitetit në ditët e sotme.

Një theks i veçantë u vu në mungesën e statistikave të besueshme për matjen e audiencës si dhe nevojën e studimeve mediatike që do t’i vinin në ndihmë AMA-s për të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me rregullimin e tregut mediatik.


15 Nëntor 2017                                                                                                                                                                Të Miturit në Objektivin e Medias

Kolegji Universitar Bedër në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe Albanian Center for Public Communication zhvilluan një workshop me temë: “Të miturit në objektivin e medias.” Workshopi u organizuar në ambjentet e bibliotekës së K.U. Bedër dhe në panel ishin Drejtori i Drejtorisë së Programeve në AMA z. Arben Muka, korrespondentja e AFP-së (Agence France-Presse) në Shqipëri, znj. Briseida Mema, Korrespondenti i “The Associated Press” z. Llazan Semini, Kryetari i Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa, Koordinatori për Marrëdhënie me Publikun dhe Median në Fondin e Ballkanit Perëndimor, z. Alban Tartari, si dhe pedagogu e shkrimtari i njohur z. Agron Tufa.

Gjatë workshop-it, nën moderimin e Përgjegjësit të Departamentit të Komunikimit pranë K.U Bedër, Dr. Erlis Çela, u diskutua mbi situatën aktuale në media të trajtimit të figurës së të miturve dhe programacionin që i dedikohet kësaj moshe. Dr. Ramadan Çipuri dhe z. Alban Tartari ndanë me te pranishmit eksperiencat dhe rezultatet gjatë punimit të këtij projekti në workshop-et e organizuara në disa nga qytetet e vendit tonë me gazetarët e mediave lokale. Gjithashtu u diskutua edhe në lidhje me ligjet aktuale dhe rolin e organizatave për trajnimin dhe vendosjen e rregullatorëve për mediat në lidhje me pasqyrimin e figurës së fëmijëve dhe standardet etike në televizion dhe media të tjera. Në përfundim të workshop-it studentët ndanë edhe mendimet e tyre në lidhje me temën.

 

 15 dhjetor 2016                                                                                                                                               Konferencë Ndërkombëtare në Studimet e Medias dhe Komunikimit

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër, në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive, Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës dhe Kolegjin AAB në Prishtinë, organizuan edicionin e dytë të Konferencës Ndërkombëtare në Studimet e Medias dhe Komunikimit me temë: “Sfidat e transmetuesve lokalë dhe rajonalë përballë qasjes online të shërbimeve të tyre”. Gjatë ceremonisë së hapjes ishin të pranishëm personalitete të ndryshëm nga fusha akademike, përfaqësues të medias dhe gazetarë të shumtë, studiues, rektorë universitetesh, përfaqësues të institucioneve publike e private si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh të gazetarisë dhe komunikimit.

Doc. Dr Ramadan Çipuri, Përgjegjës i Departamentit të Komunikimit në KU Bedër njëkohësisht kryetari i kësaj konference, gjatë fjalës së tij përshëndetëse pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë edicion të ICCMS-së u shpreh entuziast për gatishmërinë dhe besimin e vazhdueshëm me institucionet bashkëpunuese të konkretizuar në platforma të tilla të ngjashme si kjo e sotmja. Më tej ai ndau me të pranishmit metodologjinë e ndjekur në realizimin e studimit në shërbim të hulumtimit të gjetjeve të reja rreth temës së kësaj konference.

Rektori , KU Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, u ndal në 3 komponentët kryesorë të mbarëvajtjes së një institucioni të arsimit të lartë. Sipas tij, cilësia në mësimdhënie, kontributi social si dhe kërkimi shkencor i konkretizuar në konferenca apo aktivitete të tilla të ngjashme janë themelor jo vetëm në jetëgjatësinë e institucionit, por edhe të shoqërisë me hedhjen në treg të kuadrove të rinj apo gjetjeve të tilla si ato të kësaj konference. “Rëndësia e këtij projekti qëndron në prekjen e problematikave konkrete të zhvillimeve në fushën e medias në vendin tonë dhe rezultatet do jenë të rëndësishme jo thjeshtë si gjetje shkencore apo si gjetje akademike por gjithashtu për ti kthyer në politika favorizuese në fushën e medias përsa i përket shoqërisë tonë”- u shpreh ai.

Ndërsa Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, (AMA), z. Gentian Sala, ritheksoi edhe një herë bashkëpunimin e fortë prej dy vitesh ndërmjet institucionit që ai drejton dhe Universitetit Bedër. “Projektet e shumta ndërmjet AMA-s dhe universiteteve pubike e private në këtë fushë janë tregues i qartë i vizionit për të rikonsoliduar aspekte të shumta të medias apo informimit si koncept në tërësi”- tha z. Sala.

Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Prof.Asoc.Dr. Mark Marku shprehu kënaqësinë e këtij bashkëpunimi që lidhet nga interesa dhe fusha të përbashkëta ku koordinojnë të dy departamentet. Po ashtu ai theksoi se kjo konferencë është e një rëndësie të veçantë pasi është pjesë e një procesi që AMA ka hapur që prej dy vitesh, i cili lidhet me transformimin e sistemit mediatik. “Institucionet shqiptare duhet të punojnë më shumë me kërkimet në këto fusha në mënyrë që të mos jemi të varur vetëm nga studimet e huaja”- përfundoi ai.

Dr. Hasan Saliu, zëvëndës rektor për kërkimin shkencor në Kolegjin Universitar AAB në fjalën e tij të rastit, pasi përcolli vlerësimet maksimale për këtë organizim, theksoi se bashkëpunimi midis Tiranës dhe Prishtinës sidomos në fushën e medias është i një rëndësie të veçantë edhe pse mund të mos jetë në nivelin e duhur pasi aktualisht nuk kemi asnjë pengesë konkrete për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim.

Ndërsa kryetari i komisionit parlamentar për edukimin dhe mjetet e informimit publik z. Genc Pollo, u ndal në rëndësinë që kanë projekte të tilla shkencore në dobinë e përbashkët publike, në përmbushjen e të drejtës së informimit të audiencës në tërësi, në rolin e shëndetshëm të demokracisë dhe kontributin për të përballuar sfidat aktuale të mediave të sotme në vendin tonë. Më tej ai shprehu shqetësimin personal për përpjekjen e qeversië për të mbyllur portale të caktuara lajmesh dhe profile të ndryshme në median sociale veçanërisht përgjatë fushatave elektorale.

Punimet e konferencës vazhduan më tej në sesione të ndryshme me referimin e dhjetëra studiuesve të ardhur nga Maqedonia, Kosova rajoni e më gjerë. Ndër temat e shumta që u trajtuan dhe u sollën në fokus përmendim: “Informaliteti në mediat lokale dhe pafuqia rregulluese e autoritetit ligjzbatues”, “Mediat lokale dhe ndikimi i tyre mbi angazhimin qytetar përmes medias sociale”,“Tranzicioni i mediave lokale në Kosovë”, “Maqedonia dhe sfidat e shumëfishta të një tregu mediatik dy-gjuhësor.” etj.


3 Maj 2016                                                                                                                                                                  Sfidat e Shtypit Kulturologjik

Në kuadër 3 majit, ditës botëore të lirisë së shtypit, departamenti i shkencave të komunikimit organizoi panelin me temë “Sfidat e shtypit periodik kulturologjik në Shqipëri”. Nisur nga rëndësia që ky lloj i shtypit ka luajtur qoftë në historinë e vendit, po ashtu edhe në historinë e medias shqiptare, ky 3 maj iu përkushtua pikërisht kësaj problematike.

Prof.Agron Tufa, i cili moderoi edhe panelin e diskutimit vlerësoi se shtypi kulturor ka luajtur një rol të rëndësishëm në momente historike të vendit, por që sot ai po përballet me vështirësi të shumta financiare, gjë kjo që ka çuar në zbehjen e tij.

Z. Behar Gjoka, botues i revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit” u shpreh se Shqipëria është ndër ato vende të vetme ku edhe kultura dhe letërisa merr ngjyrime partiake. Ai tha se shtypi letrar dhe kulturor po mbahet vetëm falë inciativave individuale të tyre që i përkushtohen kësaj fushe, por që ndihet nevoja e gjetjeve të burimeve financiare për ta çuar më tej.

Një tjetër e pjesëmarrëse në panel, znj. Alda Bardhyli, botuese e revistës online "SARAS" i mëshoi faktit se financimet e institucineve shtetërore për shtypin letrar dhe kulturor janë shumë të pakta, gjë kjo që nuk ndihmon aspak zhvillimin e tij.

Znj.  Elvana Zaimi shpjegoi eksperiencën e saj me gazetën “Fjala”, e cila arriti të dilte në treg vetëm midis viteve 2000-2006, ndërkohë që pas një shkëputeje disa vjeçare, falë përpjekjeve të saj botimi del në një version online si “Fjalareview”. Sipas Zaimit, ruajtja dhe zhvillimi i kësaj fushë është shumë ë vështirë për të rezistuar vetëm falë idealit të individëve.

Ndërkohë, të pranishmit theksuan edhe për një mungesë interesi të qytetarëve shqiptarë ndaj shtypit kulturor.

 
21 Janar 2016
Konvergjenca e medias shqiptare, etika dhe besueshmëria

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin Bedër, zhvilloi Ëorkshop-in me temë: “Konvergjenca e medias shqiptare, diskutim mbi etikën dhe besueshmërinë”.
Paneli i referuesve, i drejtuar nga Dr.Ramadan Çipuri, përbëhej nga përfaqësues të ndryshëm të mediave tradicionale e të reja, po ashtu edhe nga specialistë dhe studiues të fushës.

Gjatë fjalës së tij Z. Çipuri vlerësoi nevojën për një rikonceptualizim të masmedias dhe audiencave, varësisht kjo kushteve me të cilat po operojnë si mjetet e komunikimit masiv, po ashtu edhe audiencat. Me rëndësi ishin vlerësimet e bëra mbi aspektin e etikës në mediat e reja, ku Prof.Dr. Briseida Mema, z. Erlis Çela e z.Emirjon Senja diskutuan për nevojën e domosdoshme të implementimit të kodeve të etikës, të një legjislacioni që do të rregullonte këto media etj.

Kryeredaktori i agjencisë së lajmeve NOA, Z.Edison Kurani diskutoi në lidhje me çështjen e përdorimit të burimeve të informacionit, rëndësisë së tyre dhe mënyrës se si ato po përdoren nga portalet informative. Sipas tij, kjo vijon të jetë një problematikë serioze. Ndërsa Z.Olti Curri diskutoi mbi fenomenin e komunikimit anonim në mediat sociale .

Për të vijuar më tej me Dr. Edlira Mali, e cila në referimin e saj diskutoi mbi metodat e përdorura nga kompanitë e ndryshme për tërheqjen e audiencave përmes rrjeteve sociale dhe mundësive të tjera që ofron interneti. Dr.Arben Muka analizoi çështjen mbi përshtatjen e produktit radiofonik në kushtet e konvergjencës dhe zhvillimit të mediave të reja.

Aktiviteti vazhdoi më tej me komentet e pjesëmarrësve të tjerë si Z.Agim Baçi, Znj.Diana Kalaja, Znj.Suela Musta, Dr.Agron Tufa, etj.

 
26 mars, 2015
Studiues nga 11 shtete referojnë në konferencën mbi median e komunikimin
 
Studiues nga 11 shtete dhe 21 universitete të ndryshme, të mbledhur në konferencën ndërkombëtare mbi studimet në media dhe komunikim, diskutuan mbi zhvillimet dhe sfidat me të cilat përballet industria e medias.
 
Akademikë dhe profesionistë të fushës së medias, nga Franca, Irlanda, Turqia, Belgjika, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, etj., referuan punimet e tyre shkencore duke synuar tu japin përgjigje dilemave dhe problematikave që kanë sjellë ndryshimet teknologjikë në industrinë e medias.
 
Temat në konferencë përfshijnë ndarjen e informacionit mbi kërkimin shkencor, zhvillimin, aplikimet e industrisë së medias, mediumet sociale, marketingun, komunikimin politik etj.
 
Raportet e reja të pronësisë së medias kanë sjellë gjithashtu marrëdhënie të reja të pronarëve me produktin e medias, cilësinë e tij, me reklamuesit, politikanët dhe aktorët e tjerë.
 
Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana, shtroi rëndësinë e trajtimit të tematikave të tilla në kushtet e dixhitalizimit dhe trendeve të reja të medias.
 
Punimet e konferencës u përshëndetën nga Prof. Artan Fuga, drejtues i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, i cili u ndal në dinamikat e viteve të fundit, ku media tradicionale po sfidohet nga mjetet e reja të komunikimit. Media e re dixhitale po krijon jo pak dilema dhe pikëpyetje, në lidhje me efektivitetin, besueshmërinë dhe audiencën. Ai u shpreh për rëndësinë që ka organizimi në partneritet me disa institucione i kësaj konference, duke uruar që referuesit, nëpërmjet punimeve të tyre, t’u japin përgjigje dilemave dhe zhvillimeve të fundit në industrinë e medias.
 
Zëvendësambasadori i Francës në Shqipëri, Didier Guilbert shprehu nderimin e pjesëmarrjes në këtë konferencë me rëndësi ndërkombëtare në kushtet e lindjes së platformave të reja të komunikimit. Ai vuri gjithashtu në dukje dhe bashkëpunimin e ngushtë mes Universitetit “Hëna e Plotë” ( Bedër) me ambasadën franceze në aktivitete të ndryshme në kuadër të frankofonisë.
 
Prof. Dr. Briseida Mema, në cilësinë e kryetares së konferencës, u ndal në aktualitetin dhe rëndësinë që ka diskutimi i temave, në lidhje me industrinë e medias. Ajo theksoi se teknologjia ecën me ritme të shpejta dhe në këtë aspekt u takon studiuesve, gazetarëve dhe njerëzve të medias që të ecin me po atë ritëm për të mos ngelur mbrapa zhvillimeve teknologjike.
 
Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Alfred Peza, tha se aktivitete të kësaj natyre u shërbejnë jo vetëm profesionistëve të medias, por edhe publikut dhe politikëbërësve. Z. Peza u ndal edhe në procesin e kalimit në transmetime dixhitale si një detyrim ndërkombëtar.
 
I ftuar si folësi kryesor ishte Prof. Eric Scherer nga Franca, njëkohësisht edhe drejtor i “Future Media” në Televizionin Francez.
 
Profesor Scherer paraqiti për audiencën 10 sfidat e revolucionit digjital, si edhe të industrisë mediatike që duhet të përshtatet me ndryshimet. Profesor Scherer, autor i esesë “A kemi më nevojë për gazetarët”, tha se rrjetet sociale, si: Facebook, Twitter, Snapchat, etj., po përhapen me hapa gjigantë, ndërsa media tradicionale po përpiqet të integrojë këto forma të reja komunikimi. Ai gjithashtu u shpreh se sipërmarrja në media është vështirësuar dhe dixhitalizimi sjell nevojën e ekspertëve në këtë fushë.
 
Konferenca Ndërkombëtare mbi studimet në media dhe komunikim me temë: “Industria e medias, trendet, dinamika dhe sfidat’’, u organizua nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër), në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, “Ipek University” në Ankara, Universitetin e Prishtinës dhe Unionin e Gazetarëve të Shqipërisë.
 
 
15 Shtator, 2014
Workshop mbi kurrikulën e programeve të departamentit të Shkencave të Komunikimit
 
Në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të kurrikulës dhe përshtatjes së saj me programet e ofruara në vendet perëndimore si dhe përditësimin e tyre me literaturën më të fundit, Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë SHLUP Hëna e Plotë Bedër zhvilloi një Workshop, ku morën pjesë ekspertë të fushës, pedagogë dhe studiues.
 
Në takimin një ditor u diskutua kurrikula dhe brendia e të gjitha lëndëve për programet që Departamenti i Shkencave të Komunikimit ofron, konkretisht Bachelor në Shkenca Komunikimi, si dhe Master i Shkencave në Shkenca Komunikimi në profilet Gazetari dhe Marrëdhënie Publike.
 
Drejtuesi i diskutimit, Zv.Përgjegjës i Departamentit, Z.Ramadan Çipuri vlerësoi si mjaft të rëndësishme nevojën për rishikim të vazhdueshëm të kurrikulave universitare, të cilat sipas tij duhet të përditësohen me zhvillimet në këtë sektor dhe me literaturën më të fundit.
 
Teksa u diskutua mbi kurrikulën në përgjithësi, më pas u analizua përmbajtja e të gjithë lëndëve në mënyrë të detajuar, duke përjashtuar këtu përsëritjen e temave dhe literaturës.
 
Gjatë diskutimeve, një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe metodave që duhen praktikuar për një mësimdhënie sa më efektive.
 
Workshop-i në fjalë ishte një nismë e propozuar nga Këshilli i Sigurimit të Cilësisë pranë SHLUP Bedër.
 
 
 
03.05.2014
Zhvillohet Workshopi Rajonal me temë “Gjuha mediatike e mediave shqipfolëse”
 
Në kuadër të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë (Bedër) në bashkëpunim me Unionin e Gazetarëve, organizoi sot Workshop-in rajonal me temë “Gjuha mediatike e mediave shqipfolëse”.
 
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm rreth 40 përfaqësues mediash në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Kryesisht të mediave vizive, shtypit të shkruar dhe atij online, si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh të shkencave të komunikimit.
 
Si folës kryesor në këtë panl ishin analistët e njohur Z.Kim Mehmeti dhe Z.Lutfi Dervishi. Por duhet theksuar se përgjatë gjithë këtij aktiviteti të gjithë të pranishmit ndanë mendime, përvoja profesionale si dhe referuan në një sër drejtimesh rreth temës së workshopit.
 
Fillimisht të pranishmëve u foli drejtuesi i këtij paneli dhe njëkohësisht shefi Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë Bedër Z. Ramadan Çipuri. I cili pasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve shtroi për diskutim temën e workshopit dhe bëri një rezyme të shkurtër rreth rëndësisë dhe aktualitetit të medias në trevat shqipfolëse.
 
Për t’ia lënë fjalën analistit dhe njëkohësisht kryeredaktorit të Vizion Plus Z. Lutfi Dervishi. Ky i fundit e shtroi diskutimin e tij kryesisht në problematikat dhe çështjet që shqetësojnë aktualisht mediat shqipfolëse në rajon. Duke veçuar ekonominë e medias dhe ndikimet e saj jo vetëm tek gazetarët por edhe tek gazetaria që na ofrohet si pasojë e këtij faktoi.
 
Ndërsa Analisti i njohur Z. Kim Mehmeti bëri një përshkrim dhe analizë të gjendjes aktuale të mediave shqipfolëse në rajon duke trajtuar të ngjashmet dhe të përbashkëtat që këto media kanë, si dhe gjetjen e një mënyre për plotësimin e tyre me faktorët që deri më tani kanë munguar.
 
Për të vazhduar më tej me Z. Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionin të Gazetarëve. Ky i fundit e vuri theksin mbi gjetjen e një gjuhe të përbashkët nga mediat shqipfolëse dhe bashkëpunimin mbi përmirësimin e kushteve në të cilat bëhet gazetaria sot në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
 
Aktiviteti vazhdoi deri në fund të tij me diskutime të shumta nga të pranishmit rreth temës së workshopit.
 
 
 
Datë: 27.03.2014
Kultura dhe arsimi si ura komunikimi midis Shqipërisë dhe Francës
 
Universiteti “Hëna e Plotë” (Bedër), në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Francës në Tiranë, me rastin e javës së Fankofonisë, organizoi panelin me temë “Kultura dhe arsimi si ura komunikimi midis Shqipërisë dhe Francës ".
 
Paneli ishte konceptuar si një tryezë e rrumbullakët, ku të ftuar që vinin nga fusha akademike, media, kultura dhe arti, ndanë idetë e tyre dhe diskutuan në lidhje me rolin që ka kultura dhe arsimi në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës. 
 
Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana, pasi u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në panel, u ndal në rëndësinë e shkëmbimit të vlerave mes kulturave, duke theksuar se qëllimi i organizimit të këtij aktiviteti është një përpjekje për të dhënë një kontribut në këtë drejtim. 
 
Nga ana e saj, Ambasadorja e Francës në Tiranë, znj. Christine Moro u shpreh e kënaqur me organizimin e këtij aktiviteti dhe vuri në dukje dëshirën e ambasadës për të bashkëpunuar me universitetin në organizimin e aktiviteteve të ngjashme. Ajo bëri një përshkrim historik të marrëdhënieve Shqipëri- Francë, duke u ndalur në rolin e madh që ka luajtur Liceu Francez i Korçës. Ndërkohë, që nënvizoi faktin se shkëmbimet kulturore mes dy vendeve, ndonëse kanë një histori të gjatë, vitet e fundit janë intensifikuar duke përmendur dhe emra të mëdhenj të letërsisë dhe artit shqiptar, që përfaqësojnë kulturën shqiptare në Francë, si Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Inva Mula etj.
 
Ndërsa Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, pasi përgëzoi organizatorët për këtë panel, u shpreh se edukimi dhe kultura kanë qenë me të vërtetë dy ura të rëndësishme komunikimi mes dy vendeve. “ Në vitin 2016 kemi 100- vjetorin e pranisë së Francës në Shqipëri. Unë jam plotësisht dakord me temën e panelit dhe e konsideroj tepër të rëndësishme që krahas institucioneve publike, edhe universitetet jopublike i kushtojnë rëndësi kulturës franceze dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. Ky është një tregues mjaft i rëndësishëm dhe për këtë dua të falënderoj Ambasadën e Francës dhe Universitetin Bedër për organizimin e këtij paneli.”- u shpreh ministrja.
 
Me pas të pranishmëve u foli edhe znj. Mimoza Hafizi, depetute e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetare e grupit të miqësisë Shqipëri- Francë në Kuvendin e Shqipërisë. Znj Hafizi foli për themelimin e grupit të miqësisë në Kuvend dhe shkollimin e studentëve shqiptarë në Francë, duke e konsideruar këtë si një mundësi të mirë për të njohur kulturën franceze. Panelistët e tjerë, si Prof. Dr. Petrit Malaj, Prof. Dr Shezai Rrokaj , Prof. Dr. Mark Marku dhe z. Aleksandër Çipa, ndanë pikëpamjet e tyre, në lidhje me temën duke hedhur dhe propozime konkrete në funksion të forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës.
 
Në fund të diskutimeve panelistët dhe të ftuarit e shumtë që ishin të pranishëm, morën pjesë në çeljen e ekspozitës fotografike “ Realitete shqiptare në objektivin e AFP-së”, punime këto të fotoreporterit Genti Shkullaku. Ekspozita përmbante 30 fotografi nga realiteti shqiptar në 3-4 vitet e fundit.
 
 
12.03.2014
Zhvillohet konferenca II studentore: “Komunikimi, media dhe përgjegjësia sociale”
 
Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër) organizoi konferencën e dytë studentore me temë: “Komunikimi, media dhe përgjegjësia sociale”. Në këtë konferencë u prezantuan 18 punime shkencore nga studentët e vitit të tretë të nivelit bachelor. 
 
Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të zv-përgjegjësit të Departamentit të Shkencave të Komunikimit, njëkohësisht edhe kryetari i kësaj konference, dokt. Ramadan Çipuri, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe studentët për punimet e realizuara. Gjatë fjalës së tij, ai vuri në pah rëndësinë që paraqet kërkimi shkencor i vetë studentëve të shkencave të komunikimit, krahas formimit teorik që ata marrin në auditor, si dhe praktikave profesionale që zhvillojnë nëpër media të ndryshme. 
 
Punimet e konferencës i përshëndeti edhe rektori i Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër), Dr. Ferdinand Gjana. Para studentëve të pranishëm në sallën e konferencave, Dr. Gjana vlerësoi punën e deritanishme të Departamentit të Shkencave të Komunikimit, i cili, sipas tij, ka qenë mjaft aktiv gjatë këtyre tre viteve që prej hapjes së Universitetit “Hëna e Plotë” (Bedër).
 
Më pas konferenca vazhdoi me prezantimet e studentëve, të cilat u ndanë në tre sesione. Në sesionin e parë, të titulluar: “Etika dhe përgjegjësia sociale në gazetari”, referuan gjashtë studentë. Në sesionin e dytë, të titulluar: “Ekrani, pushteti dhe ndikimi i tij në jetën sociale”, prezantuan punimet edhe gjashtë studentë të tjerë. Sesioni i tretë ishte pak më i veçantë, me titullin: “Realiteti social nëpërmjet zhanrit të reportazhit”, studentët e tjerë prezantuan reportazhet e tyre të realizuar me të tema të ndryshme. 
 
Në fund të konferencës u shpërndanë edhe certifikatat për studentët referues
 
 
 
03.05.2013
Workshop: Mediat lokale shqiptare përballë sfidave të teknologjisë dhe realitetit të kohës.
 
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë Bedër, në bashkëpunim me Unionin Shqiptar të Gazetarëve dhe Institutin Shqiptar të Medias. Organizoi më datë 03.05.2013 Workshopin me temë “Mediat lokale shqiptare përballë sfidave të teknologjisë dhe realitetit të kohës”.
 
Tema tërhoqi vëmendjen e përfaqësueve të 31 mediumeve të ndryshme, lokale, kombëtare. Në takim referuan Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave te Komunikimit në UHPB, Z.Ramadan Çipuri, Ambasadorja e Francës në Tiranë Znj. Christine Moro, Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik z. Mark Marku, Kryetari i Unionit Shqiptar të Gazetarëve Z.Aleksandër Çipa, Kryetari i rrjetit të televizioneve lokale Z. Edmon Isaku etj.
 
Në fjalën e tij Z.Çipuri u fokusua në situatën aktuale me të cilën mediat lokale po përballen. Sipas tij, mediat në tërësi po përballen me realitetin e ri teknologjik, ku interneti po kthehet në një platformë për të gjitha ato. Nga ana tjetër, Znj. Christine Moro, Ambasadore e Francës, pasi vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti në një ditë kaq të rëndësishme për lirinë e shtypit, bëri një pasqyrim mbi realitetin e lirisë së medias në botë, problematikat që hasen më shpesh nga gazetarët duke i ilustruar me shembuj nga tregu mediatik francez. Znj. Moro u ndal më pas në çështjet që lidhen me etikën e medias si një element tepër i rëndësishëm.Ndërkohë kryetari i Unionit të Gazetarëve shqiptarë , Z. Aleksandër Çipa u ndal më shumë në nevojën e respektimit të normave të etikës dhe deontologjisë nga ana e mediave shqiptare. 
 
Më pas të pranishmit firmosën memorandumin e përgatitur nga Unioni i Gazetarëve. Në memorandum vihet theksi në domosdoshmërinë e rithemelimit të një ndërgjegjeje të munguar etike.
 
 
03.05.2012
Workshop: Sfidat e medias shqiptare në ‘Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit’
 
Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit Hëna e Plotë – BEDËR, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë pranë Universitetit të Tiranës, Unionin e Gazetarëve dhe Institutin Shqiptar të Medias, në ditën botërore të lirisë së shtypit organizuan workshop-in me temë “Sfidat e medias shqiptare”. 
 
Përgjegjësi i Departamentit të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë - BEDËR, z. Ramadan Çipuri, Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Artan Fuga, Drejtori i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa, analisti i njohur, njëkohësisht dhe përfaqësuesi i Institutit Shqiptar të Medias, z. Lutfi Dervishi, pedagogë të dy universiteteve dhe drejtues të njohur të medias diskutuan rreth problematikave dhe sfidave kryesore me të cilat përballet media shqiptare. Çështjet e etikës në media, kushtet e vështira të gazetarëve, si dhe perspektivat e zhvillimeve teknologjike ishin pikat kryesore të cilat u diskutuan. 
 
Z. Ramadan Çipuri në fjalën e tij, duke iu referuar të dhënave të raportit më të fundit të publikuar nga “Freedom House”, tha se pavarësisht problematikave me të cilat haset media në Shqipëri, ka pasur zhvillime pozitive. Analisti Lutfi Dervishi, në referimin e tij, u ndal në çështjet e etikës në median shqiptare, duke vënë theksin në mungesën e kodeve të etikës dhe aplikimit të tyre. Ndërkohë gjendja në të cilën punonjësit e sektorit të medias dhe, në veçanti e gazetarëve që punojnë në median shqiptare, ishte çështja kryesore e referimit të drejtuesit të Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa. Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Artan Fuga trajtoi çështjen e sfidave të gazetarisë në kushtet e transformimit teknologjik. 
 
 
 
20.11.2012
Konferenca shkencore kombëtare: “Roli i medias në formimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar”
 
Në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër) organizoi konferencën shkencore kombëtare: “Roli i medias në formimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar”.
 
Me pjesëmarrjen e akademikëve nga universitete të ndryshme dhe specialistëve nga fusha e medias, në referimet e mbajtura u hodhën ide dhe argumente në lidhje me fillimin, zhvillimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar, si dhe pozicionimit të medias në këtë proces të gjatë.Një debat që në të ardhmen do të ketë nevojë për t’u trajtuar në punime të tjera shkencore ishte edhe ai i “identitetit kosovar” dhe “identitetit shqiptar”.
 
Në referimin e tij, Prof. as. dr. Mark Marku theksoi se në gjysmën e dytë të shek. XIX, në mungesë të një kulture të mirëfilltë të librit, shtypi i kohës ishte i vetmi mjet i cili ndihmoi në ngritjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar.
 
Në vazhdim, Dr. doc. Agron Tufa u fokusua tek debati mbi “identitetin kosovar” dhe “identitetin shqiptar”, i cili, sipas tij, po shoqërohet edhe me nismën për krijimin e një shqipeje të veçantë krahas asaj standarde. 
 
 
 
21.02.2012
Konferenca Studentore me temë “Media dhe Politika”
 
Raporti mes medias dhe politikës, një nga çështjet më të diskutuara  nga publiku shqiptar pas viteve ’90, ishte kryetema e Konferencës Studentore “Media dhe politika”, e organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit Hëna e Plotë - BEDËR. Në sesionin e hapjes së konferencës ishin të pranishëm personalitete të rëndësishme nga fusha akademike, politika dhe përfaqësues të medias, të cilët vlerësuan punimet e kësaj konference si një hap pozitiv në formimin akademik të studentëve dhe diskutimin e temave të tilla në një tjetër nivel. 
 
Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, z. Ramadan Çipuri, kryetari i kësaj konference, vuri theksin në rëndësinë që kanë studimet në fushën e medias dhe të politikës. Ndërkohë, Rektori i Universitetit Hëna e Plotë - BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana, në fjalën e tij përshëndetëse njohu të pranishmit me misionin dhe arritjet e deritanishme. 
 
Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Valentina Leskaj theksoi se diskutimi i raporteve midis medias dhe politikës në një konferencë studentore ka një rëndësi të veçantë. Znj. Leskaj u shpreh se pavarësisht marrëdhënieve mes politikës dhe medias në vite dhe vështirësive, në këtë fushë është bërë progres. 
 
Punimet e konferencës i përshëndetën Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Jorgaq Kaçani, Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. As. Dr. Tonin Gjuraj, z. Clive Rumbold, Sekretari i Parë dhe Shef i Sektorit Politik në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, si dhe gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu.