Bunguri: Në Shqipëri ka vend për më të mirët

Adrian Bunguri ishte i ftuari i tretë për këtë vit akademik në ciklin e leksioneve të hapura ”Studenti dhe Profesioni”, organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër). Z. Bunguri mban detyrën e drejtorit të reklamës dhe marrëdhënieve me publikun pranë Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).
 
Ai zhvilloi me studentët një bisedë ku në fokus ishte rëndësia e marrëdhënieve me publikun në kushtet e sotme të tregut.  Si drejtor i PR (Public Relations) në BKT, Bunguri ndau me studentët qëllimet e marrëdhënieve me publikun në institucionin ku ai punon. ‘’Në bankë duam të arrijmë dy qëllime: të promovojmë një produkt të caktuar si dhe të tregojmë se BKT është banka më e vjetër, më e besuar dhe më transparente”.“Imazhi është shumë i rëndësishëm pasi është i lidhur me besimin. Sistemi bankar  në Shqipëri është një sistem i shëndetshëm e megjithatë tregu shqiptar nuk është zhvilluar mjaftueshëm aq sa për t’iu përshtatur tregut të reklamave, nga ku lind nevoja për të huazuar terma dhe praktika pune nga jashtë”, tha Bunguri.
 
Ai vuri në dukje avantazhin e televizionit dhe internetit në degën e marrëdhënieve me publikun, duke përmendur mangësitë e radios dhe shtypit të shkruar në këtë fushë.“Shtypi i shkruar duhet të konvertohet me zhvillimet teknologjike për t’iu përshtatur zhvillimeve të kohës, ndërkaq që radiot duke transmetuar gjithë kohës vetëm muzikë, nuk japin mundësi për vlera të shtuara. Në  internet mundësitë janë të jashtëzakonshme si për individët ashtu edhe kompanitë”.Bunguri u shpreh se tashmë marrëdhëniet me publikun kanë marrë më shumë rëndësi edhe se vetë reklama apo fushatat publicitare.“Marrëdhëniet me publikun kanë marrë shumë më rëndësi nga sa kishte reklama apo fushatat publicitare, pasi ato ndihmojnë për të ruajtur statuskuonë. BKT vetëm për një muaj  16 000 mijë pëlqime dhe 130 kandidatë për një vend punë në BKT”.
 
Bunguri gjithashtu u shpreh më tej se në ditët e sotme tregu ka nevojë për specialistë të komunikimit ku përveç njohjes së shkëlqyer së gjuhës shqipe, për aplikimin në një vend pune, rëndësi të madhe marrin edhe gjuhët e huaja. ‘’Nëse jeni mjaftueshëm të mirë, nëse jeni ekspertë në fushën tuaj, atëherë nuk ka kompani që nuk do t’ju marrë. Njeriu e përcakton veten se ku do të jetë dhe se çfarë do të bëjë. Në Shqipëri ka punë plot për më të mirët”.