Shkrimtari, poeti dhe studiuesi i njohur shqiptar Agron Tufa është nderuar për poezinë më të mirë nga Akademia Europiane e Shkencave, Arteve dhe Literaturës. Më datë 26 janar, në Paris u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare për vitin 2017.
Krahas fituesve të tjerë të nderuar me çmime, që mbanin emra të poetëve të mëdhenj botërorë, ishte edhe poeti shqiptar, Agron Tufa, i vlerësuar për poezinë më të mirë me çmimin që mban emrin e poetit kombëtar të Ukrainës, “Taras Shevçenko”. Një nga çmimet më të rëndësishme, që nxjerr në pah vlerat e letërsisë së vërtetë, pavarësisht emrit të autorit, kombësisë apo gjuhës në të cilën ai e ka shkruar për së pari.
Në këtë garë, Tufa u paraqit me një tufë prej 20 poezish të përkthyera në gjuhën frënge nga Ardian Marashi dhe Edmond Tupja. Poezi, të cilat tërhoqën vëmendjen e jurisë, të cilët e shpallën kandidat për çmimet letrare për poezinë 2017, që Akademia jep çdo vit e më pas ta shpallnin dhe një ndër fituesit.
Agron Tufa është një nga poetët më të mirë shqiptarë bashkëkohorë. Tufa ka arritur të sjellë gjithmonë vargje sa të freskëta, aq edhe me thellësi mendimi. Aktualisht ai është lektor i brendshëm pranë Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar “Bedër”.