

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në bashkëpunim me Zyrën e të Diplomuarve organizuan, "Bedër Communication Sciences Reunion", një takim i cili mblodhi së bashku të gjithë brezat e diplomuar të këtij departamenti që prej viti 2014.
Ky takim shërbeu për të ribashkuar të diplomuarit në Shkenca Komunikimi me qëllim që të shkëmbejnë eksperiencat e tyre duke ndikuar në zgjerimin e network-ut dhe krijimin e lehtësirave në tregun e punës.
Të pranishëm në këtë takim ishin dhe rektori i Kolegjit Universitar “Bedër” Prof. Dr. Ferdinand Gjana, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, dhe Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit Dr. Erlis Cela, të cilët përshëndetën dhe falenderuan ish-studentët për praninë e tyre në këtë takim.
Aktiviteti vazhdoi me bisedat dhe takimet mes studentëve, të cilët rikujtuan me njëri-tjetrin eksperiencën e tyre gjatë studimeve universitare në Bedër, si dhe jetën pasuniversitare duke folur rreth karrierës profesionale që ata kanë nisur.