Departamenti i Shkencave të Komunikimi, takim me studentët që kryen praktikat profesionale

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar “Bedër”zhvilloi një takim me studentë të cilët gjatë verës së kaluar kryen praktika profesionale pranë institucioneve mediatike, atyre të marrëdhënieve me publikun dhe pranë agjencive të marketingut.

Përgjegjësi i Departamentit, Dr. Erlis Çela, theksoi rëndësinë e takimit, në marrjen feedback-ut pas kryerjes së praktikave, për të riparë nëse është e nevojshme mënyrën e funksionimit.  Më tej ai cilësoi rëndësinë që ka praktika profesionale për gjatë studimeve në zbatimin e teorive të marra në leksione dhe si hapi i parë për të ndërtuar karrierën.

Gjatë takimit studentët shprehën përshtypjet e tyre dhe rrëfyen eksperiencat që patën gjatë praktikës. Ata treguan për proceset e punës, vështirësitë dhe zgjidhjen e tyre në redaksi, në zyra marrëdhëniesh publike dhe agjenci marketingu. Ata treguan që pas përfundimit, disa prej tyre arritën edhe të punësoheshin me kohë të pjesshme pranë vendeve ku kryen praktikat.

Disa prej studentëve vlerësuan praktikën e kryer përgjatë vitit në portalin objektiv.al, portal ky i konceptuar në forme laboratori për studentët, i cili menaxhohet nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në KUB.

Më tej studentët shprehën dëshirën për të qenë sërish pjesë e praktikave profesionale edhe përgjatë periudhave të ndryshme të vitit.

Disa nga lektorët e Departamentit theksuan rëndësinë e praktikave profesionale për të lidhur kontakte me tregun.