Departamenti i Shkencave të Komunikimit në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike organizuan ditën e sotme diskutimin e hapur me temë “Media Online dhe Të drejtat e Njeriut në Shqipëri”. Znj. Anisa Seferaj, eksperte pranë ISP, prezantoi gjetjet e raportit mbi rolin e Mediave Online në Diskursin Publik në Shqipëri. Raporti është hartuar në kuadër të projektit TRANSITION, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Çekisë.
Të pranishëm në diskutim ishin ambasadori çek, z. Karel Urban, përfaqësuesi i AMA Arben Muka, ekspertë të ISP-së Anisa Seferaj e Afrim Krasniqi, përgjegjësi i Departamentit të Komunikimit Erlis Çela, pedagogë dhe studentë të Departamentit të Komunikimit dhe Departamentit të Drejtësisë në Kolegjin Universitar “Bedër”.
“Transparenca financiare është element thelbësor për besueshmërinë e portaleve online dhe përmbajtjes së tyre”, u shpreh znj. Seferaj.
Gjatë diskutimit, të pranishmit vendosën theksin te rëndësia e medias online në përcjelljen e informacionit dhe debatuan rreth mungesës së rregullimit ligjor për përmbajtjet e medias online.
“Media ndikon opinionet dhe qëndrimet e audiencës. Për këtë arsye, sa më cilësore dhe reale të jetë përmbajta mediatike aq më reale do të jenë qëndrimet e audiencës”, tha z.Çela.
Pedagogët dhe studentët u drejtuan pyetje panelistëve lidhur me sfidat e komunikimeve virtuale, të drejtat e njeriut dhe ndikimin e medias online në demokraci.